Danimarka luftoi fort, por në fund doli e humbur me shifrat 2-1 pas 120 minutash ndaj Anglisë në “Wembley”, duke u eliminuar nga Euro 2020. Ishte një ndeshje shumë e fortë dhe taktike, por në fund cilësia e anglezëve bëri diferencën. Pas ndeshjes i zhgënjyer ishte trajneri danez, Kasper Hjulmand.
“Padyshim që ka zhgënjim të madh sepse ishim aq afër finales. Duhet të hidhnim hapin e fundit në rrethana të ndryshme gjatë ndeshjes. Ka qenë e mahnitshme ajo që skuadra ka bërë.
Ka cilësi dhe fuqi të madhe brenda djemve, ata kanë luajtur në mënyrë fantastike. Kemi sulmuar, duke shënuar gola dhe e kemi treguar veten tonë. Lojtarët kanë bërë gjithçka, si brenda, edhe jashtë fushës. Qëndruam së bashku dhe luftuam deri në minutën e fundit.
Tani jemi tepër të zhgënjyer, por nuk do vonojë shumë që do kthehemi dhe do themi: ne i dhamë një të shtyrë dhe tani do i shkojmë sërish deri në fund”, tha Hjulmand pas ndeshjes. /abcnews.al