Themeluar falë industrisë së kohëve moderne si nafta, por me rrënjë të thella në histori. Shkëlqimi që ari i zi i dha Patosit dekada më parë u venit por bukuritë natyrore, trashëgimia dhe traditat e zonës janë aty, të patjetërsueshme.
Dukas Breg, fshati me shtëpi karakteristike prej guri disa kilometra ne juglindje te Patosit shfaq një pamje piktoreske që në hyrje të tij.
Me gurë të gdhendur, porta me hark dhe oborre të mbyllur, shumë nga shtëpitë e Dukasit jane ende të banueshme. Viktor Bregu thotë se në këtë shtëpi kanë jetuar tre breza. Këtu thotë ai, janë kujtimet dhe identiteti i familjes së tij.
“Këtu ka jetuar gjyshi, babai dhe unë me fëmijët vazhdoj të jetoj këtu”, është shprehur ai.
Shtëpi të tjera si këto, janë rrënuar ose prishur nga vetë banorët për të ndërtuar të reja. Megjithatë ka mbetur një numër i konsiderueshëm sa për t’i dhënë fshatit një profil të veçantë. Viktori është mes atyre që i ruajtën duke vlerësuar gjithçka përfaqëson një shtëpi si kjo, kujtimet dhe historinë familjare
Ndërtimi i një shtëpie të tillë kërkonte jo vetëm para, por edhe mjeshtërinë e duhur.
Rrënojat e një kishe të vjetër dhe portat e gurta të Dukasit, ftojnë për të vazhduar udhëtimin në thellësi të zonës.
Në Gjinoqarë, shumë pranë qendrës së fshatit, një tabelë orientuese të çon te vendi i quajtur ‘varri i gjatë’. Legjenda flet për një njeri me përmasa dhe trimëri të pazakontë varri i të cilit konsiderohet i shenjtë.
Një varr misterioz të cilin nuk e prishi dot diktatura tani po tërheq vizitorë nga i gjithë vendi. Kryeplaku Sako Myftaraj ka theksuar se vizitorë të shumtë vijnë për të parë këtë varr që i ka shpëtuar dhe prishjes në kohën e komunizmit.
Këtu ndodhet edhe një varreze e lashtë ndërtimi i së cilës, nuk dihet kur daton. Ndërsa në të gjithë zonën duke përfshirë edhe kalanë e Margëlliçit ka gjurmë të anitikitetit që nga periudha ilire.
Rruga automobilistike vazhdon drejt fshatit Rruzhdie dhe përfundon në Siqecë. Fshati që ndodhet në skajin më të thellë mes pyjeve në kufi me Mallakastrën e Rroskovecin dhe Beratin është 1 nga 100 fshatrat turistikë. Siqeca i ka të gjitha, përveç banorëve që e kanë braktisur në masë. I njëjti stil i ndërtimit e njëjta traditë. Banorët merren me pemëtari dhe ullishta dhe shquhen si njerëz te qetë.
Zona i ka tiparet e një destinacioni turistik, por jo statusin e tillë. Në këto kushte Bashkia e Patosit po bën të vetmen gjë që mundet, të gjejë dhe më pas promovojë pika që tërheqin vizitorë. Gjatë këtij proçesi u zbuluan vende pothuajse të panjohura, si ujëvara e Siqecës.
Pyjet e Siqecës kanë statusin e monumentit natyror me florë dhe faunë të pasur. E gjithë zona ka qenë vendbanim i lashtë por nuk ka pasur asnjëherë gërmime arkeologjike. Në lartësi që shkojnë deri në 500 metra mbi nivelin e detit në fshatrat e kësaj zone janë edhe disa liqene natyrore. /abcnews.al