Tre trajnerë gjermanë janë në gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve. Ata drejtojnë Bayern Munich, RB Leipzig dhe PSG, ndërsa shkolla gjermane është tani numri 1 në Europë.
Suksesin e ka provuar edhe më parë, ndonëse jo si i parë. Hans Flick hodhi një hap të madh drejt fitores së Champions League, duke qenë në katër më të mirët me Bayernin e tij. Në karrierë ai ka triumfuar në Botërorin e vitit 2014, si ndihmësi i Joachim Low tek Gjermania.
Tekniku 55-vjeçar është kthyer në një hero të papritur të futbollit bavarez, gjerman dhe atij europian, duke realizuar një mrekulli të vërtetë me Bayernin, që ishte në rënie të lirë me ish-trajnerin Niko Kovac.
Kur u duk se ishte arritur fundi, emërimi i Flik solli ndryshimin, me ekipin që u shpall kampion, fitoi Kupën e Gjermanisë dhe tani është favorit në Ligën e Kampionëve pas fitores 8-2 me Barcelonën. Gjithsesi, drejtuesi i bavarezëve nuk është i vetmi yll që shkëlqen në shkollën e trajningut gjerman.
Një ditë më parë, ishte Julian Nagelsmann që udhëhoqi RB Leipcig drejt gjysmëfinaleve të Champions Legue, me një fitore gjithashtu historike ndaj Atletico Madrid. Ai është vetëm 33 vjeç, një moshë në të cilën shumë lojtarë janë ende në kulmin e karrierës, ndërsa ai duket në majë si trajner.
Djaloshi shtatlartë 1.90 metra, që duket si ndonjë yll Hollivudi, premtoi se do të pinte një birrë pas suksesit ndaj Atletikos, por jo më shumë, sepse sërish do të ishte në timon duke drejtuar Lajpcigun. Pasi e nisi karrierën si trajner në moshën 25-vjeçare, pas një dëmtimi në gju, Nagelsmann shkëlqeu me Hoffenhaim e tani me RB Leipzig. Prej kohësh është edhe në listën potenciale të Bajernit.
Në gjysmëfinalet e Championsit këtë vit janë 3 trajnerët gjermanë. Në krah të Flick e Nagelsmann është edhe Thomas Tuchel, një tjetër profesionist i ri dhe ambicioz. Drejtuesi i Paris SG është 47 vjeç dhe tani po i afrohet kulmit të karrierës, pasi drejtoi ekipin e dytë të Augsburg, Mainz e Borussia Dortmund.
Tuchel pati nevojë për një përmbysje, pikërisht në fund, për të eliminuar Atalantën, me shifrat 2-1, dhe ndryshe nga Flick e Nagelsman, mbështetet tek dy superyje për të arritur suksesin, Neymar e Kylian Mbappe.
Në Europë shpesh janë vlerësuar shkolla të tjera trajningu, si ajo franceze, spanjolle, holandeze apo italiane, por tani kryet e vendit po e zë shkolla gjermane. /abcnews.al