Ish-anëtarët e sektit ekstrem dhe fundamentalist mormon kanë përshkruar në detaje abuzimin e tmerrshëm që përjetuan nga duart e “profetit” pedofil Warren Jeffs, i cili kishte 78 gra, ndërsa ka përdhunuar shumë fëmijë, duke i bindur viktimat se dhuna ishte e vetmja mënyrë që ata të “shpëtohen”.
Një dokumentar i ri i Netflix, “Keep Swet: Pray and Obey”, zbulon krimet e tmerrshme, abuzimet seksuale dhe fizike të kryera nga Jeffs gjatë viteve të tij si udhëheqës i sektit mormon.
Promoja e dokumentarit të Netflix-it hedh dritë mbi abuzimet seksuale të viktimave Jeff-it.
Një ish-anëtar i sektit sipas videos së promos së dokumentarit thotë se anëtarët e sektit i bindnin viktimat, duke i thënë se nënshtrimi, keqtrajtimi dhe abuzimi seksual ishin të vetmet mënyra për të gjetur shpëtim në këtë botë.
“Ne bëmë atë që na thoshin se duhet të bënim, edhe nëse ishte e gabuar“, thotë një ish-anëtar.
Një tjetër shtoi: “Vajzat e reja ishin mall që i përkisnin kishës”.
Jeff, 66 vjeç, ka shërbyer si president i Kishës Fundamentaliste të Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme (FLDS) që nga viti 2002.
FLDS u krijua në fillim të shekullit të 20-të nga një grup mormonësh të dëbuar nga Kisha e tyre sepse refuzuan të hiqnin dorë nga poligamia.
Poligamia u hoq nga feja mormone në vitin 1904, kur presidenti i atëhershëm i kishës tha se nuk do të lejohej më, në një deklaratë të njohur si “Manifesti i Dytë”.
Megjithatë, disa anëtarë të komunitetit nuk donin ta ndalonin këtë praktikë, duke besuar se “sa më shumë gra dhe fëmijë të kesh, aq më lart do të jesh në Parajsë”, sipas dokumentarit, i cili del sot për herë të parë në Netflix.
FLDS u themelua për herë të parë në vitin 1930 dhe Jeffs u bë një “profet i kishës” në 2002, pas vdekjes së babait të tij, Rollon Jeffs, i cili kishte 20 gra dhe rreth 60 fëmijë.
Jeffs kishte më shumë se 70 gra, 24 prej të cilave ishin fëmijë të mitur, kur u arrestua në vitin 2008./abcnews.al/


