Marash Kumbulla është në qendër të vëmendjes te Hellas Verona. Mbrojtësi i kombëtares shqiptare është nën vëzhgim nga të gjitha klubet e rëndësishme italiane. Juventus, Inter, Napoli dhe Milan janë përmendur, ashtu sikurse Fiorentina që po kalon një moment jo të mirë.
Së fundmi është zbuluar një histori mjaft interesante, që Kumbullën e përfshin në radarët e Manchester United. Mbrojtësi qendror është parë që në verë nga një skaut i klubit anglez, i cili ishte i pranishëm në një ndeshje miqësore që klubi italian zhvilloi me Hoffenheim.
Juric vendosi ta aktivizonte në pjesën e dytë dhe skauti i United, nisur nga paraqitja e tij u detyrua të mbante shënime për të. Tanimë gjërat janë në fazë tjetër dhe “Djajtë e kuq” interesohen për çmimin. Hellas Verona raportohet se kërkon minimalisht 15 milionë euro.
Çmimi mund të rritet dhe të shkojë në 20 milionë. Kumbulla është vetëm 19 vjeç dhe kur kemi të bëjmë me një ankand të hapur, normalisht edhe gara mes klubeve sjell edhe rritjen e çmimit. Ajo që është e kuptueshme ka të bëjë me faktin që qendërmbrojtësi nuk do të qëndrojë edhe për shumë kohë te Hellas Verona. /abcnews.al