Historia e pazakontë e Xhemalçe, njihuni me kampionin 80 vjeçar të Ballkanit

schedule17:41 - 28 Dhjetor, 2019

schedule 17:41 - 28 Dhjetor, 2019

Sporti shqiptar ka një kampion të Ballkanit në moshën 83-vjeçare. Ky është Nexhat Xhemalçe, ish-mësuesi që nisi vrapin në prag të pensionit, për t’i dhënë kuptim jetës. Veterani tregon për Abc Neës-in se cili ishte motive dhe sesi shëtiti botën falë pasionit të tij.

Në mes ushtruesve të shumtë në këtë park, ky personazh spikat mbi të gjithë. Quhet Nexhat Xhemalçe, është 83 vjeç, dhe nderon Shqipërinë si kampion i pandërprerë e Ballkanit.

Veterani nga Tirana dhe vrapimi janë një binom i pandarë, një histori e pangjashme me asnjë tjetër në vendin tonë, të cilën ai e tregon për Abc Neës: “Kam gati 30 vjet që merrem me aktivitet sportiv. E kam filluar pothuajse në moshë të madhe. Kam qenë arsimtar dhe në pension kam dalë në moshën 55 vjeç. Gjatë këtyre 30 viteve kam një gamë të madhe aktivitetesh sportive, qofshin të rangut kombëtar, qofshin të rangut ndërkombëtar”

Cilat janë garat e preferuara të tij? ” Në këto disiplina gjithnjë do merren garat e thellësisë, bëhet fjalë për maratona dhe gjysmë-maratona. Vjet, në muajin shtator mora pjesë në kampionatin ballkanik që u zhvillua në Slloveni. Mora pjesa në dy gara, në 5000 metra dhe në gjysmë-maratone. Në këto dy gara dola kampion Ballkani. Sivjet mora pjesë në kampionatin ballkanik që u zhvillua në Bukuresht, në Rumani. Edhe aty mora pjesë në dy gara, dola kampion Ballkani, si në 5000 metra edhe në gjysmë-maratonë. Bëhet fjalë për 21 km e 97 metra”.

Përveç Ballkaniadave, që i ka si “bukë e djathë”, veterani ka marrë pjesë edhe në turne të mëdhenj: ” Kam marrë pjesë në kampionatin botëror të sportistëve veteranë në Gjermani, në salla të mbyllura, në 300 metra. Aty dola i katërti. E mbaj mend kohën e rezultatit, 12 e 29 min në salla të mbyllura. Hera e parë që shihja salla të mbyllura me sy”.

Xhati tregon se përveç pasionit, ai pati edhe një arsye të fortë që iu përkushtua vrapimit: “Kam vrapuar, kam vrapuar jashtë mase. Motivi im ka qenë të shkoja te vajza në Francë. M’u realizua dëshira, shkova te vajza në Francë në sajë të maratonave. Flas në kohën që ne nuk kishim Shengen. Ky ka qenë interesi, çdo gjë e bëja me lekun tim”.

A ka pasur probleme me shëndetin nga vrapimet e gjata, dhe a është këshilluar me mjekët? Doktor Lluka Heqimi, ish-mjek i ekipeve kombëtare në futboll, por edhe të atletëve veteranë, e pyeti para 10 viteve: “Doktor Lluka Heqimi më pyeti përpara 10 vitesh: ‘O Nexhat, sa vjeç je?’. ‘Doktor Lluka’, jam 75 vjeç”, i thashë. ‘Po si vrapon?’, më pyeti.  ‘Përditë’, bëj 15 km-20km’, i thashë. ‘Ouuu!”, më tha. ‘Jo mor Nexhat, trupi ka nevojë të rehabilitohet, mashkulli ka nevojë të rehabilitohet’. 1 herë në 2 ditë, rrallë 1 herë në tre ditë vrapoj”.

Cili është regjimi i tij i zakonshëm i vrapit? “Unë nisem nga shtëpia në orët e para të mëngjesit. Varet nga stina. Vi këtu, bëj 2-3 cirkuite rreth e përqark liqenit. Me vrap përsëri, shkon 2 orë-2 orë e çerek”

Që nga fundi i viteve 80-të e deri më sot, sa ka ndryshuar tek Liqeni Artificial? “Ndryshon, si nata me ditën. Ka një problem të madh, kanë filluar të vrapojnë. Ndryshon si nata me ditën, sheh djem dhe vajza të reja që ecin e vrapojnë shumë mirë”.

Historia e vrapimit të Nexhatit nisi në këtë shtëpi, pranë 21 Dhjetorit. Kampioni i sotëm, ndërsa mban në qafë dy medaljet e fundit të arta fituar në Ballkaniadën e Bukureshtit, tregon se çfarë e shtyu për të ndryshuar tërësisht jetën: “Kam qenë në shkollën e rretheve të punës, thuhej në atë kohë. Në pension kam dalë në moshën 55 vjeçare. Sa më shumë afrohej koha për të dalë në pension, aq më shumë më filloja të pyesja: Ku do e kaloja kohën? Doja të kisha një bahçe, për të punuar atje, për të kaluar kohën. Mirëpo ne jemi në pallat dhe unë përfundova në park”.

Mes numrit tepër të madh të medaljeve, diplomave e kupave, është edhe një televizor i vogël: “Garën e parë kombëtare jashtë kufijve, e kam bërë me 9 maj të vitit 2000. Në kuadër të festës kombëtare të Turqisë, organizohej një mini-maratonë me 800 pjesëmarrës. Unë zura vendin e parë dhe si fitues, më kanë dhënë këtë TV e vogël nga Ambasada Turke”.

Në mes të këtyre garave të shumta, ai do të veçonte dikë, maratonën San Malo Sen Mishel në Francë: “Të them të drejtën, kam bërë maratonën e Neë Yorkut, maratonën e Athinës, maratonën e Romës, maratonën e Sen Malo Sen Mishel. Maratonën e Sen Malo Sen Mishel kam kujtim të bukur. Dola i dyti. Aty është luajtur skena nga filmi Konti i Montekristos. Më dhanë pako dhe një diplomë me elozhe: Nexhat, ke hyrë te legjendat!”

A e ka idenë Xhati sesa medalje ka fituar gjithsej? “Aq sa e di ti, di edhe unë. Por të paktën-paktën, janë minimalisht 100 medalje, qofshin të karakterit kombëtar, dhe ato ndërkombëtare”.

I pathyeshmi i Ballkanit, ka këtë regjim gjumi, që e ndihmon të fitojë: “Bie shpejt në gjumë unë, bie shpejt dhe nuk po e them orën. Nuk është se bie në gjumë me pult, por bie herët. Si dhe ngrihem shpejt në mëngjes. Ngrihem në orën 3:30-4 të mëngjesit. Bëj disa ushtrime gjimnastikore, rruhem dhe kur kam ditën e vrapit, dal në vrap”.

Ndërsa fliste për pjesëmarrjen në Evropian, ra tingulli i orës, që lajmëroi orën 10:00. Një orë vërtet e veçantë: “Dhëndri im ka qenë orëndreqës. Në atë kohë, flas para 100 vitesh, vinin dhe iknin tregtarët italian. Dhëndri im ma ka bërë dhuratë, ta kem kujtim”.

Vrapimi i Xhatit nuk ndihmoi vetëm atë për të shkuar në Francë e për të takuar vajzën: “Në sajë të maratonës, të them të drejtën çova edhe gruan. Bëra maratonën e para, e mora me veten. Më thanë: Gruaja është franceze? Por ambasada më njihte, sepse kam TV aty, i shihja, më shihnin kur nxirrja medaljet”.

Në moshën 83-vjecare, nuk përton të ndihmojë të shoqen, Nafin, madje ishte ai që solli gotat e rakisë në tavolinë. Jo më kot, gëzon shëndet të plotë. Ishte po Xhati që solli edhe kafet tradicionale turke.

Në një shenjë mikpritjeje, përpara sesa të largoheshim, Nexhat Xhemalçe, prishi rregullin që nuk vendos kurrë raki në buzë, dhe trokiti gotat, ndërsa ne i uruam jetë të gjatë dhe shëndet për t’u gëzuar në familje, dhe për të vazhduar pasionin e tij, vrapin./ ABC NEWS 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!