Historia e pabesueshme e Wesley, ylli i Aston Villa-s që u bë baba 14 vjeç

schedule10:38 - 10 Maj, 2020

schedule 10:38 - 10 Maj, 2020

Wesley Moraes Ferreira da Silva. Kuptohet, kemi të bëjmë me një brazilian. Futbollist dhe ashtu siç imagjinohet, sulmues. Historia e jetës së tij është e pabesueshme. Mund ta kishte lënë futbollin, por ajo çka kaluar në jetë e ka motivuar 22-vjeçarin të luftojë shumë për atë që do dhe sot i gëzohet gjithçkaje ka arritur. Luan në Premier League, në kampionatin më të fortë në botë dhe është blerë nga Aston Villa për shifrën rekord të 25 milionë eurove.

“Kur babai im vdiq, ishte gjithçka e vështirë për ne. Mamaja ishte vetëm me mua dhe vëllezërit, por ajo punonte. Tani unë bëj gjithçka për të. Sa herë mbaroj stërvitjen e telefonoj atë. Ajo është gjithçka për mua. Mamaja ime bëri gjithçka të më ndihmonte të luaja futboll, ndaj sa herë shkoj në shtëpi e telefonoj”, tregon Wesley, i intervistuar nga Sky Sports.

Dramat në jetën e sulmuesit kanë qenë të shumta. Që në moshën 14-vjeçare është bërë baba dhe normalisht vështirësitë kanë qenë të mëdha për të. “Jam bërë baba për herë të parë kur isha 14 vjeç. Ishte e vështirë, pasi ndodhi gjatë kohës që po përpiqesha të luaja futboll profesionist. Duhet të punoja gjatë ditës dhe pastaj të shkoja në stërvitje në mbrëmje.

 

Wesley (Aston Villa)

Isha 14 kur kisha fëmijën e parë dhe 16 vjeç u bëra baba sërish. Kur u bëra me dy fëmijë, i thashë vetes së duhet të bëja gjithçka për t’u bërë futbollist. Kur luaj duhet të mendoj për familjen, fëmijët, nënën time dhe të gjithë”, rrëfen braziliani.

Për t’i siguruar të ardhura familjes, sulmuesi i është dashur të punojë në një fabrikë. Shpesh ka marrë “jo” si përgjigje nga klubet ku është provuar. “Më duhet të bëja diçka, ndaj punoja në fabrikë. Më duheshin para për të mbajtur fëmijët e mi. Doja të shkoja në një ekip, por të gjithë më thoshin jo.

Shkova te gjashtë ekipe para se të shkoja në Sllovaki. Kur shkova tek ekipi i gjashtë mendova se nuk do të luaja më futboll. Mendova se kishte përfunduar gjithçka për mua dhe në atë moment mora një mundësi”.

Sllovakia i hapi dyert sulmuesi, i cili në fillim ka vuajtur: “Javët e para ishin të vështira, pasi temperaturat ishin të ulëta në Trencin. Tre muajt e parë mund të ketë rënë borë gjithë kohës, kështu më dukej mua. Unë jam nga Brazili dhe as që i ndjeja këmbët prej të ftohtit. Kështu që ishte e vështirë të luaja futboll”.

 

Wesley, kur luante me Club Brugge

Me Trencin, Wesley shënoi 6 gola dhe më pas u transferua në Belgjikë, aty ku është aktivizuar me Cercle Brugge. Në Belgjikë sezonin e fundit shënoi 13 gola dhe kaloi në Premier League. Sigurisht nuk e harron të shkuarën e tij.

“Jam shumë i lumtur që luaj në Premier League, në kampionatin më të rëndësishëm në botë. Çdo ditë mendoj për të shkuarën, atë që mendoja kur ekipet më thoshin ‘jo’. Prandaj jam shumë i lumtur tani që e bëj këtë punë”, tregon Wesley.

Sulmuesi ka tentuar në një moment të çajë në botën e futbollit me spanjollët e Atletico Madrid. “Isha i ri dhe nuk mund të shkoja dhe të nxirrja jashtë një lojtar si Diego Costa. Luajta tek Atletico Madrid për gjashtë muaj kur isha 17 vjeç. Isha pak i frikësuar kur shihja lojtarë të mëdhenj si Diego Costa, Miranda dhe Raul Garcia. Gjithsesi ishte e mahnitshme”, thotë futbollisti i Aston Villa, i cili ka edhe një problem.

Këmba e djathtë është gati tre centimetra më e shkurtër se e majta dhe sulmuesi deklaron: “Nuk e di çfarë mund të them për këtë. I kam këmbët kështu, sikurse edhe ju e dini. Nuk kam asnjë dhimbje, apo gjëra të tilla. Shpresoj të vazhdoj kështu”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!