Historia e një marrëdhënie të komplikuar mes Britanisë dhe BE

schedule17:30 - 26 Mars, 2019

schedule 17:30 - 26 Mars, 2019

Marrëdhënia mes Londrës dhe Brukselit ka qenë e tensionuar edhe përpara se të shqiptohej fjala “Brexit”. Laburistët i premtonin britanikëve që në vitin 1975, se do të ishin ata që do të vendosnin, nëse do qëndronin apo jo në Evropë.

Ata që mendojnë se krisjet mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Bashkimit Evropian kanë nisur me Brexit, gabohen! Kanë qenë disa pikat kritike nëpër të cilat ka kaluar ndër vite marrëdhënia e Londrës me Brukselin. Që nga anëtarësimi i vendit në BE në 1973-shin e deri tek referendum i parë për Evropën në vitin 1975.

Anëtarësimi I Mbretërisë së bashkuar nuk ka qenë një sipërmarrje e lehtë: përpjekjet e para në vitin 1963 dhe 1967 u përplasën fillimisht me veton e presidentit të atëhershëm francez Sharl De Gol. Në vitin 1967 presidenti francez deklaronte se një seri karakteristikash të ekonomisë britanike, praktikat e punës dhe agrikultura nuk e bënin vendin të përputhshëm me Evropën.

Pas largimit të De Gol, Britania e Madhe arrin të anëtarësohet me sukses në komunitetin evropian në 1 janar të vitit 1973.

Pas fitores së laburistëve në zgjedhjet e përgjithshme në vitin 1974, britanikëve iu premtua se do u jepej mundësia të votonin nëse dëshironin të qëndronin në Evropë ose jo. Britanikët votuan në vitin 1975. Nëpërmjet një rinegocimi të drejtuar nga kryeministri britanik Harold Uillson, britanikët u pyetën nëse mendonin se Mbretëria e Bashkuar duhej  të qëndronte në Evropë ose jo. 67.2 për qind e britanikëve votuan pro qëndrimit.

Ish kryeministrja britanike Margaret Thecër në vitin 1984 arriti të rinegocionte me sukses një vendim për të reduktuar kontributin britanik në buxhetin e BE nga ana e Mbretërisë së bashkuar. Një llogaritje e komplikuar por që është e barabartë me një reduktim prej 66%

Me firmosjen e traktatit të Maastricht, krijohet dhe Bashkimi Evropian, nga një  union ekonomik u kalua në një project për një union politik. Traktati vendoste ndër të tjera dhe bashkëpunimin në fushën e politikës së jashtme dhe të sigurisë. Gjithashtu u hodhën bazat për monedhën e përbashkët

Partia e pavarësisë në Britaninë e Madhe, krijohet në vitin 1993. Kjo lëvizje promovon një linjë euro-skeptike por mbetet ende e vogël në numër deri në zgjedhjet evropiane të 2014-ës. E fortë pas këtij rezultati, promovon më pas fushatën “Largohu” pas referendumit për Brexit në vitin 2016.

Ish ministri britanik Dejvid Kamerun premtoi në prag të zgjedhjeve të përgjithshme të 2015-ës se nëse konservatorët do të merrnin mazhorancën parlamentare, qeveria mes të tjerash, do të lejonte mbajtjen e një referendum për daljen e vendit nga Bashkimi Evropian.

Konservatorët fituan dhe morën mazhorancën në parlament, si pasojë Kamerun mbajti premtimin. Në vitin 2016, 51.89 për qind e britanikëve votuan për daljen e vendit nga Bashkimi Evropian. Qeveria britanike aktivizoi artikullin 50 të traktatit për Bashkimin Evropian në mars të 2017-ës./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!