Historia e gjatë e Brexit, daljes përfundimtare të Britanisë së Madhe nga BE

schedule11:45 - 26 Tetor, 2019

schedule 11:45 - 26 Tetor, 2019

Nga Dorina Kurtaj – Britanikët kanë qenë gjithnjë të dyzuar për të qenë ose jo pjesë e Bashkimit Europian, e tashmë që 31 Tetori është shumë pranë, jo shumë gjëra kanë ndryshuar. Po cilat do të jenë pasojat e hyrjes në fuqi të Brexit për Londrën dhe Brukselin.

Në 31 tetor skadon dhe shtyrja e fundit për daljen e Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Europian. Pavarësisht se marrëveshja duket shumë pranë, nuk përjashtohet që pritja të zgjasë edhe më, me frikën e një Brexit-i të ashpër që në atë rast do të ishte vërtet i mundur.

Pas daljes nga skena të Tereza Mej, kryeministri konservator Boris Xhonson duket i vendosur që të vazhdojë me çdo kusht, pas dështimeve të njëpasnjëshme të muajve të fundit si dhe të votës kundër në parlamentin e vendit. Mundësia e një Brexit të vështirë do sillte shumë problem si për Mbretërinë e Bashkuar ashtu dhe për pjesën tjetër të vendeve europiane.

Për të kuptuar se si është arritur deri këtu është e domosdoshme që të hetohet më thellë në qasjen britanike për sa i përket konceptit të europës politike. Qëndrimi i Londrës përballë procesit të integrimit europian ka qenë gjithnjë skeptik dhe madje dhe armiqësor në fillesat e saj, dhe më pas u përforcua dhe në ndjenjën popullore, nga vala e atij që etiketohet si populizëm ose sovranizëm.

Një qasje e tillë politike e ka origjinën dhe më parë se Europa të vendosej si një entitet mbikombëtar. Shteti britanik në fakt, i dalë fitimtar nga lufta e dytë botërore në vitin 1945, kishte një nevojë urgjente të një rindërtimi total dhe kryeministri si dhe personazhi kryesor i fitores ndaj nazizmit, Uinston Çërçill, dukej shumë i predispozuar ndaj idesë së Europës që po krijohej në një linjë ende teorike menjëherë pas lufte.

Zgjedhjet e korrikut të vitit 1945, në mënyrë surprizë i dhanë fitoren laburistëve,të drejtuar nga Klement Atëll, të cilët u imponuan falë një fushate elektorale të përqendruar në një program të rëndësishëm ekonomik ndërhyrës që do të sillte lindjen e shtetit social.

Paralelisht, ftohja e marrëdhënieve mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Sovjetik, drejtoi Londrën tek një marrëdhënie e veçantë e Uashingtonin, në vend që të merrej vesh me vende të tjera të Europës perëndimore që brenda pak kohësh do të hidhnin bazat e para të procesit europian.

Duhej pritur viti 1973 për të parë Londrën tek bëhej pjesë e asaj që njihej si Komuniteti Ekonomik Europian, pas përplasjeve të shumta. Më e rëndësishmja ishte pa dyshim krijimi në vitin 1960 i një zone shkëmbimi alternative me atë të europës kontinentale.

Kur në fund veto-ja franceze e presidentit Sharl De Gol, ra, Mbretëria e Bashkuar u bë pjesë e Komunitetit Ekonomik Europian. Por duhet vënë re se një gjë e tillë varej në pjesën më të madhe nga dështimi ekonomik i zonës së shkëmbimit atlantik të krijuar nga Londra dhe nga suksesi paralel i tregut të përbashkët europian. Pra me pak fjalë, nuk u vendos një nga ndjenjë europiane në rritje e britanikëve.

Me kalimin e kohës Londra u rreshtua gjithnjë në mbështetje të një vizioni europian të moderuar, duke kundërshtuar çdo modifikim mbikombëtar të institucioneve dhe të marrëveshjeve. Mjafton të përmendim se Mbretëria e Bashkuar nuk është pjesë e zonës Shengen, as e unionit monetar pasi nuk ka përdorur monedhën euro por ka mbajtur stërlinën. Nuk duket dhe aq befasues fakti që në qershor të vitit 2016, 51.89 për qind e britanikëve votuan për daljen nga Bashkimi Europian.

Arsyet e këtij rezultat janë të shumta. Përveç tashmë skepticizmit të famshëm ndaj konceptit të Europës politike, ka dhe faktorë të tjerë po aq të rëndësishëm. Sidomos kriza ekonomike e vitit 2008 që la plagë të thella, në përgjithësi, dhe shkaktoi një frikë dhe një mbyllje në shoqëritë perëndimore. Mos të harrojnë që një pjesë e mirë e fushatës elektorale pro Brexit u drejtua nëpërmjet propagandës kundër emigracionit europian në Britaninë e Madhe.

Një fenomen tjetër, lidhet me pasojat e krizës së madhe, është përhapja gjithnjë e më e madhe e ideve të partive populiste. Ky fenomen u përforcua në Britaninë e Madhe kryesisht nëpërmjet partisë për Pavarësinë e Mbretërisë së Bashkuar – UKIP, i drejtuar deri në vitin 2016 nga Najxhel Faraxh. UKIP u themelua në vitin 1993 nga një degë e Partisë konservatore dhe objektivi kryesor i tij ka qenë gjithnjë Brexit. Nuk është një rastësi që pikërisht si pasojë e fitores së Brexit në referendum, Faraxh vendosi të japë dorëheqjen pas 10 vitesh në drejtim të partisë

Por Brenda Mbretërisë së Bashkuar ka shumë fryma të ndryshme. Zonat periferike të Skocisë, Irlandës së Veriut dhe disa province të Uellsit, votuan në pjesën më të madhe për të qëndruar në Bashkimin Europian. Edimburg në fakt mund të kërkojë sërish një referendum për pavarësinë si ai i vitit 2014, por me një rezultat që këtë herë mund të jetë ndryshe.

Një element tjetër i rëndësishëm i përket qytetit të Londrës, që në ndryshim nga qytetet të tjera britanike, votoi në pjesën më të madhe që të qëndrojë në Europë. Londra është zemra ekonomike dhe financiare e Mbretërisë së Bashkuar si dhe është shembulli më i madh i metropolit multikulturor të ishujve britanikë. Pasha e votës së saj në peshore është shumë e rëndësishme dhe një marrëveshje e mundshme mes Brukselit dhe qeverisë së Xhonson për daljen mund të ketë pasoja të papritura për kryeqytetin.

Në këtë pikë, pavarësisht rezultatit të negociatave mes qeverisë së Madhërisë së Saj dhe Bashkimit Europian, pasojat në Mbretërinë e Bashkuar mund të jenë të paparashikueshme

Pyetja më e shpeshtë është se kur dhe në çfarë mënyre do të aplikohet në të vërtetë Brexit. Pas shtyrjeve të shumta duket se në fakt po afrohet një marrëveshje mes Londrës dhe Brukselit, e cila pa dyshim do të lehtësonte gjërat, sidomos për sa i përket marrëdhënieve të ardhshme mes dy vendeve. Është e qartë tashmë se vështirësia më e madhe për Xhonson do të jetë miratimi i kësaj marrëveshjeje në parlamentin britanik.

Sipas shumë deputetëve marrëveshja aktuale penalizon shumë Londrën, sidomos për sa I përket lirisë së manovrave në kufirin me Irlandën e veriut. Xhonson ka paralajmëruar se gjithësesi do të vazhdojë, me apo pa miratimin e parlamentit, duke ringjallur sërish frikën për daljen e vendit nga Bashkimi Europian pa një marrëveshje.

Gjithësesi është e qartë se në të dy rastet hapat për tu bërë duhen vendosur ende. Në fakt është hera e parë që një vend vendos të dalë nga Bashkim Europian, dhe për këtë arsye nuk janë të qarta dinamikat, në mënyrë të vecantë politika rreth hyrjes dhe rezidencës së qytetarëve europianë në Mbretërinë e Bashkuar dhe të britanikëve në vendet e kontinentit.

Ndërkohë të martën e 22 Tetorit, parlamenti britanik votoi për dy masa të rëndësishme: e para e cila u miratua, kishte të bënte me ligjin që lejon daljen e Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Europian; që është dhe e para që miratohet që kur ka filluar të flitet për Brexit. E dyta ka të bëjë me propozimin e qeverisë për analizimin dhe miratimin e marrëveshje për daljen Brenda tre ditësh: e cila u refuzua. Kjo në mënyrë të pashmangshme zgjati në kohë diskutimin dhe miratimin duke bërë të pamundur daljen në 31 tetor me një marrëveshje të miratuar nga parlamenti britanik

Gjithsesi Xhonson nuk u dorëzua dhe deklaroi se puna për një dalje pa marrëveshje do të vazhdojë me më urgjencë. Por ai nuk ritheksoi skadencën e fundit të muajit si datën përfundimtare për daljen pa marrëveshje ndaj dhe është e mundur që kryeministri britanik vetëm po fiton kohë në pritje për të marrë veshe vendimin e BE për shtyrjen e Brexit.

Problemet me të cilat duhet të përballet Londra pas daljes janë të rëndësishme dhe ndahen në dy kategori: problem të brendshme dhe ndërkombëtare

Problematikmat e brendshme në Mbretërinë e bashkuar janë të qarta dhe më I rëndësishmi është ai që lidhet me çështjen e kufirit mes Irlandës së Veriut dhe Republikës së Irlandës, kufiri i vetëm tokësor mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Bashkimit Europian. Vendosja e një kufiri të ri mes dy zonave të Irlandës do të kontribuonte ndjeshëm në ringjalljen e hirit të pashuar të pavarësisë. Ndër të tjera një vendim i tillë do të kishte pasoja të ndjeshme ekonomike për sa I përket punëtorëve në kufi të cilët përditë kalojnë kufirin. Më I dëmtuar do të ishte Dublini duke qenë se është eksportues i madh i mallrave drejt Britanisë së Madhe.

Mbetet në tryezë ideja e heqjes së doganave, vendim që do të transformonte në mënyrë të menjëhershme Belfast në një zonë të integruar ekonomike të Bashkimit Europian. Por kjo duket një ide e pamundur për tu miratuar nga përfaqësuesit më të ashpër proi Brexit në Britaninë e Madhe.

Këtyre i shtohet dhe përbërësi skocez, për shkak të konotacionit të fortë pro europian të skocezëve, duke e bërë shumë të vështirë për qeverinë e Edimburg që të dalë pa pasoja nga Bashkimi Europian. Në këtë pikë është e qartë se shumëçka do të varet nga mënyra e daljes. Nuk përjashtohet që në mungesë të një marrëveshjeje, Skocia të mbajë një referendum të ri për pavarësi.

Për sa i përket marrëdhënieve ndërkombëtare, mbretërisë së bashkuar do i duhet të ndërtojë nga e para marrëdhëniet me të gjitha vendet europiane. Do të përforcohej dhe më shumë marrëdhënia me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sidomos nëse Xhonson do të rikonfirmohej si kryeministër. Por duhet parë nëse marërdhënia me Uashingtonin do të jetë e mjaftueshme, meqenëse në një botë gjithnjë e më shumë të globalizuar dinamikat e konsoliduara historikisht duket se nuk janë më të mjaftueshme

Të një natyre krejtësisht tjetër janë çështjet me të cilat duhet të përballet Bashkimi Europian. Dilema kryesore është precedent i krijuar nga dalja e një shteti anëtar. Për momentin duket pamundur që një tjetër vend i Bashkimit Europian të vendosë të dalë Brenda një kohe të shkurtër, por gjithsesi mbështetja në rritje ndaj partive euroskeptike mund të rritet edhe më si pasojë e Brexit.

Së dyti, Brukseli do të jetë i privuar nga një nga anëtarët më të mëdhenj si për nga rëndësia ndërkombëtare ashtu dhe për atë ekonomike. Dukshëm nuk është një kartëvizitë e mirë për Bashkimin Europian në nivelin e politikës ndërkombëtare. Nyja kryesore mbetet ajo e qindra mijëra qytetarëve europianë të cilët punojnë dhe jetojnë në Mbretërinë e Bashkuar. Shumë prej tyre kanë nisur të kërkojnë alternative të tjera, ndërsa do të jetë detyra e qeverive dhe diplomacive që të gjejnë marrëveshjet për të lehtësuar sa më shumë dhënien e lejeve të qëndrimit për ata të cilët jetojnë prej vitesh në ishujt britanikë.

Leksioni që bëhet i qartë duke ndjekur çështjen e Brexit, është se nuk mund të parashikohet e ardhmja. Bruksel ishte shprehur dikur se marrëveshja me Mej ishte më e mira e mundshme, ndërsa dot e ka ndryshuar me një tjetër më të mirë të mundshëm. Xhonson deklaronte se nuk dëshironte të negocionte asgjë, por më pas e bëri. Laburistët në Britaninë e Madhe kërkojnë zgjedhje të parakohshme, por në parlament votojnë kundër kërkesës për zgjedhje të parakohshme.

Në fund është e qartë se Bashkimi Europian për të shmangur raste analoge duhet të kryejë një rishikim të thellë, madje dhe një rithemelim,  të ideve dhe institucioneve për të shpresuar në mbijetesën në një kohë bashkëkohore./ABC News Albania

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!