Historia e foshnjës që vuan nga një sëmundje e rrallë dhe lufta e prindërve për ta shpëtuar

schedule15:41 - 7 Nëntor, 2023

schedule 15:41 - 7 Nëntor, 2023

Indi Gregory, një foshnje tetë muajshe, shëndeti i së cilës është në gjendje shumë kritike, ka marrë nënshtetësinë italiane për të vazhduar trajtimin për sëmundjen mitokondriale nga e cila vuan.

Mjekët në Spitalin Nottingham thonë se nuk mund të bëjnë asgjë më shumë për të dhe u është dhënë ‘drita jeshile’ nga Gjykata e Lartë e Britanisë për të ndaluar trajtimin. Ata thanë se fëmija po vdes dhe trajtimi i saj ka qenë joefektiv dhe po i shkakton dhimbje.

Megjithatë, prindërit e foshnjës, Claire Staniforth dhe Dean Gregory e kundërshtuan këtë dhe pasi u refuzua ankimi i tyre në Gjykatën e Lartë, ata iu drejtuan Spitalit të Fëmijëve Gesu në Romë, i cili pranoi të trajtonte të voglen.

“Zemra ime është e mbushur me gëzim që italianët i dhanë Klerit dhe mua shpresë dhe besim te njerëzimi. Italianët na kanë treguar kujdes dhe dashuri dhe uroj që autoritetet e Mbretërisë së Bashkuar të bëjnë të njëjtën gjë”, tha Gregory.

“Jam shumë krenar që Indi ka nënshtetësi italiane dhe falënderoj nga zemra qeverinë italiane dhe popullin italian”.

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni tha se do ta mbrojë jetën e Indit deri në fund. Në një postim në X, ajo tha: Thonë se nuk ka shumë shpresë për Indin e vogël, por unë do të bëj gjithçka për të mbrojtur jetën e saj. Si dhe të drejtën e nënës dhe babait të saj për të bërë atë që munden për të.

Kabineti i Italisë u mblodh të hënën e kaluar për t’i dhënë fëmijës shtetësinë.

“Raste si ky janë tepër të vështira për të gjithë dhe mendimet tona janë me prindërit e Indit në këtë kohë shumë të vështirë. Një seancë dëgjimore për të vendosur nëse Indi mund të ekstubohet në shtëpi apo në spital do të mbahet sot. Derisa të merret një vendim, ne do të vazhdojmë t’i ofrojmë kujdes Indit”, tha për Dr Keith Girling, drejtor në Nottingham University Hospitals NHS Trust.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!