“Hirushja” e Italisë dhe Evropës, Napoli: Blerjet e reja të sezonit ndryshuan skuadrën, sot ata janë “frika” e kundërshtarëve

schedule10:20 - 1 Mars, 2023

schedule 10:20 - 1 Mars, 2023

Nga Hergi Llupi

Napoli është padyshim “ëmbëlsira” e këtij sezoni në Itali, por jo vetëm, pasi edhe në Champions League është duke bërë rrugën e mrekullisë.

Në tabelën e Serie A, Napoli ndodhet në vendin e parë të cilin e ka blinduar dhe vështirë se mund t’i afrohet tjetër klub. Humbja e fundit dhe e vetmja deri më tani e pësuar në këtë sezon është ajo kundër Interit në kampionat. Ata ndodhen në krye të tabelës me 65 pikë, 18 pikë më shumë se Interi dhe Milani.

Spalletti ka bërë një punë të shkëlqyer që asnjë trajner nuk e ka bërë deri më sot tek ata dhe jo vetëm. Në përfundimin e sezonit të kaluar, shumë persona ishin skeptikë për Napolin e sezonit aktual, pasi largimet në merkato ishin të bujshme. Insigne, Mertens, Koulibaly, Fabian Ruiz, Milik dhe David Ospina ishin largimet e bujshme. Të gjithë të përmendurit ishin lojtarët kyç të këtij klubi të cilët kanë bërë shumë, sidomos Insigne, Mertens dhe Koulibaly.

Por, asgjë nuk mori për poshtë. Kim, Olivera, Anguissa, Meret, Raspadori, Ndombele, Ostigard, Simeone dhe qershia mbi tortë, Khvicha Kvarastkhelia ishin disa nga prurjet e reja të skuadrës së Napolit. Osimhen vazhdon të ruajë formën e tij të jashtëzakonshme, ku në 25 ndeshje në total të luajtura këtë sezon, sulmuesi nigerian ka shënuar 21 gola dhe ka asistuar 4 herë. Qershia mbi tortë, surpriza apo lojtari më në formë në këtë sezon në të gjithë Evropën i cili kërkohet nga shumë klube të mëdha, është pikërisht gjeorgjiani Khvicha Kvaratskhelia. Kvara ka luajtur këtë sezon 26 ndeshje në total për Napolin, me 12 gola të shënuar dhe 15 asistime. Gjeorgjiani bën gjithçka në fushën e lojës dhe ka mundur të mahnitë këdo që e ka parë të luajë, por edhe ka bërë me dhimbje koke shumë lojtarë dhe trajnerë kundërshtarë, pasi performanca e tij është e papërballueshmë për këdo që ndeshet me Napolin e tij.

Kjo performancë fantastike e skuadrës napolitane, ka bërë që vlera e lojtarëve të tyre të rritet ndjeshëm.

Mbrojtësi qendror Kim u ble për 19 milionë euro, tani vlen 60 milionë. Elmas u ble 16.5 milionë euro, tani vlen 30 milionë. Bomberi nigerian ka patur një rritje vlere të dyfishtë, pasi u ble 65 milionë dhe tani vlen 150 milionë euro. Nuk duhet harruar mbrojtësi me origjinë shqiptare Rrahmani, i cili është blerë për shifrën e 14.2 milionë eurove dhe tashmë vlera e kartonit të tij është 25 milionë. Di Lorenzo, i cili është edhe kapiteni i ekipit, është blerë për 25 milionë dhe tani ai vlen 40 milionë euro. Surprizë është edhe mesfushori Lobotka, pasi është blerë për 21 milionë euro dhe tashmë vlera e tij ka shkuar në 70 milionë euro, ku madje është futur edhe në radarët e klubit të Real Madrid për post-Toni Kroos. Mesfushori Anguissa ishte blerja e kësaj merkatoje verore, për të cilin Napoli pagoi  16 milionë euro, ndërsa sot vlen 40 milionë. I fundit jo nga rëndësia, mrekullia e Napolit, perla dhe goditja më e mirë ndër vite në merkaton e tyre, është gjeorgjiani Kvicha Kvartskhelia, i blerë për 11.4 milionë euro, por sot ai kap vlerën në treg për 120 milionë euro, ende pa u mbyllur sezoni aktual.

Napoli ka ndryshuar shumë dhe nuk është bërë pretendent vetëm në Serie A, por sot është edhe një ekip për t’u pasur frikë në Evropë. Paraqitjet e skuadrës së Spallettit në grupet e Champions League, por edhe në ndeshjen e parë të eliminimit direkt kundër gjermanëve të Frankfurt, ka bërë që ekipet më me zë dhe pretendente për të fituar këtë kompeticion, t’i frikësohen këtij ekipi kompakt, luftarak, teknik dhe tepër të rrezikshëm në çdo repart të fushës.

Një mbrojtje e fushqishme si Muri Kinez, me Rrahmanin dhe Kim të cilët janë kthyer në përbindëshat e këtij sezonit, duke lënë emrin e të larguarit Koulibaly, dikur një nga mbrojtësit më të mirë në Itali dhe në Evropë, të futet nën hijen e tyre. Një mesfushë kompakte, me vizion dhe bazament të palëkundur, si Zielinski, Lobotka dhe Anguissa. Por nuk duhet harruar sulmi, me Osimhen dhe Kvaratskhelia, të cilët në çdo sfidë të luajtur këtë sezon, kanë qenë protagonist. Një nga dyshet më të mira aktuale në të gjithë Evropën, një dyshe me plot teknikë, fizik, mentalitet, të cilët bëjnë që çdo mbrojtës kundërshtar të dridhet.

Por, nuk duhet harruar Spalletti, trajneri i këtij ekipi. Spalletti tregoi vlerën e tij në kohën kur luajti për Interin, i cili ishte ai që riktheu zikaltërit në Champions League pas disa sezonesh të vështira. Dhe vlerën e tij si një nga trajnerët më të mirë, e dha me Napolin e tij, ku e ka rikthyer në majën e Italisë, dhe në kundërshtarin më të frikshëm në të gjithë Evropën./ h.ll/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!