Hipokrizia jonë për dosjet dhe Havzi Nelën

schedule11:26 - 10 Gusht, 2022

schedule 11:26 - 10 Gusht, 2022

Nga Agim Baçi

Për aq kohë sa nuk e mendojmë si pjesë tonën atë të keqe që ka ndodhur në diktaturë dhe atë rezistencë të mos hapjes së dosjeve në këto 32 vite të ndryshinit të sistemit politik, nuk do të mundet dot ta zbojmë nga shoqëria jonë atë ligësi që u mboll për gati 50 vite, por thjesht do të shtojmë nihilizmin tonë ndaj asaj të shkuare, e cila tashmë është rikthyer thuajse fitimtare ndaj nesh, ndaj të sotmes dhe të nesërmes së këtij vendi.

Dhe do të mjaftonte për këdo të kujtojmë zbythjen e aktorëve publikë e politkë ndaj presionit që iu bë pak vite më parë ish kreut te ISKK-së, Agron Tufës, nga ish drejtuesi i burgut famëkeq të Qafë-Barit, Caja, dhe nga bashkëpunëtorë të tij në politikë, për të kuptuar se beteja jonë me të shkuarën ka qenë në këto vite sipërfaqësore, pa fakte e dëshirë konkrete për zbardhje, pa asnjë hetim thelbësor mbi atë të keqe.

Ajo ligësi që tentoi të zhdukte çdo zë njerëzor, mbeti mes nesh e fortë pasi ne nuk arritëm të nxirrnim dot në sipërfaqe tragjeditë e fshehura në Spaç, në Qafë-Bari e në dhjetra vende internimi ku vdiqën nga uria e torturat mijëra shqiptarë nga viti 1944 e deri në vitin 1990.

Dhe për fatin tonë të keq, deri më sot, shoqëria shqiptare ka jetuar me “krimet e askujt”. Dhe “krimet e askujt” janë gënjeshtra që i kemi bërë vetes, duke mos e kuptuar se thjesht kemi zgjedhur hipokrizinë në vend të së vërtetës.
Për këtë mungesë guximi, le t’i lutemi Zotit që fëmijët të na falin që nuk ua thamë të vërtetat në sy, dhe se po i rrezikojmë t’u bëjmë dhe atyre gënjeshtrën si veshjen e përditshmërisë.
Ne njëkohësisht duhet ta themi hapur se nxitimi i sotëm i shumë aktorëve politikë për të kujtuar poetin e pushkatuar Havzi Nela, ndërkohë që kanë patur në dorë zbardhjen e dosjeve për sa kohë kanë qenë në pushtet, është thjesht vijim i talljes të cilën ne duhet ta refuzojmë, ta injorojmë.
Aq më pak mund të krenohen me idenë e zbardhjes së dosjeve ata që janë në pushtet sot, por që në vite bënë gjithçka që e shkuara e gremisur e bashkëqytetarëve të mos prekej, duke nisur me zhbërjen e komisioneve Mezini e Bezhani, e më pas me dekorimin e ish persekutorëve dhe me emërimin e tyre më lista e poste publike, edhe pse disa prej bashkëqytetarëve tanë nuk i dinë ende varret e prindërve apo të afërmve që u pushkatuan apo varën herë pa gjyq e herë me një gjyq të bërë pas pushkatimit. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!