Gonzalo Higuain është rikthyer futbollisti që të gjithë njohim. Sezoni i fundit ishte plot probleme e vështirësi dhe shumëkush mendoi se Pipita “perëndoi”. Dilemat zgjatën edhe gjatë verës, ndërkohë që emri i tij qarkullonte më shumë jashtë sesa brenda Juventusit.
31-vjeçari nuk polemizoi kurrë, uli kokën, punoi fort dhe priti momentin e tij. Një goleador si ai nuk mund të harrojë të shënojë dhe ky fillim sezoni po vërteton se kualiteti në këmbët dhe mendjen e tij nuk shteron kurrë.
Sulmuesit i mjaftuan 19 minuta aktivizim për të shënuar golin e fitores kundër Interit dhe për gjetur rrjetën e dytë në kampionat këtë sezon. Ai nuk polemizon për qëndrimin në stol dhe ndihet i lumtur që arriti të tregohet deçiziv dhe të ndihmojë ekipin.
FITORJA – “Shijuam një ndeshje të madhe të Juventusit kundër skuadrës më solide deri në këtë moment. Treguam shumë karakter dhe luajtëm me vendosmëri. Për fat ia arritëm të siguronim tre pikët.”
PANKINA – “Ky është një vendim që i takon trajnerit. Dybala luajti mirë dhe shënoi. Unë u futa në fushë me qëllimin për të ndihmuar skuadrën dhe ia dola. Tentoj gjithmonë të bëj maksimumin. Ky është një fillim sezoni fantastik dhe duam të bëjmë mirë në të gjitha kompeticionet.” /abcnews.al