Gonzalo Higuain ka provuar të luajë edhe në Premier League, te Chelsea, dhe më pas u rikthye në Torino te Juventusi. Kohët e fundit po përflitet edhe për një kalim të Lionel Messi në Angli, te Manchester City i drejtuar nga Pep Guardiola.
Sulmuesi argjentinas i bardhezinjve e paralajmëron “Pleshtin” në intervistën e dhënë për “Fox Sport”. “Kam vuajtur shumë në ato gjashtë muaj në Premier League. Nuk munda të përshtatesha. Atje mbrojtësit të mbytin në shkelma dhe arbitrat nuk fishkëllejnë asgjë; mbrojtësit janë ndërtuar si dollapë rrobash dhe të godasin, sa herë të munden”, thotë fillimisht Higuain.
Më tej ai shton: “Nuk e di se si do të ndikonte kjo te Messi. Nuk mendoj se ai do të vuante, pasi bëhet fjalë për një lojtarë të një tjetër niveli.
Nuk e di se çfarë po mendon ai tani, por shpresoj që të vendosë në bazë të asaj që ndjen dhe ai vendim ta bëjë atë të lumtur. Kjo është pjesa më e rëndësishme e një vendimi. Bëni atë që ju bën ju të lumtur, jo atë që i bën të tjerët të lumtur”. /abcnews.al