Aitor Karanka është aktivizuar gjatë karrierës së tij me Athletic Bilbao dhe Real Madrid, përpara se të mbyllte karrierën në SHBA. Ish-mbrojtësi fitoi një kampionat spanjoll, një Superkupë Spanje dhe 3 Champions Liga me “Los Blancos”, ndërsa nisi më pas karrierën e trajnerit, të cilën e vazhdon edhe sot.
Sezonin e kaluar ishte në stolin e Nottingham Forest, por drejtuesit e klubit të famshëm anglez që militon në Championship e shkarkuan nga detyra për mungesë rezultatesh. Më parë ka drejtuar kombëtaren U16 iberike përpara se të bëhej ndihmës i Jose Mourinhos te Real Madrid.
45-vjeçari ka zbuluar një detaj interesant në lidhje me rikthimin e Reali, kësaj radhe si ndihmës trajner. Ishte qershori i vitit 2010 dhe “merengues” kishin zgjedhur t’i besonin stolin portugezit Mourinho, i cili vinte pas një sezoni përrallor tek Interi, aty ku fitoi tripletën e famshme.
Në një prononcim për “AS”, Karanka rikujton bisedën me Fernando Hierron dhe batutat e lëshuara në drejtim të ish-shokut të skuadrës. “Fernando më telefonoi dhe më ftoi të takoheshim në shtëpinë e tij. Ishte ora 10 e mëngjesit dhe e pyeta me shaka nëse po përgatitej të largohej dhe të më thoshte lamtumirë. Ai e mohoi dhe më tha se kishte biseduar me Jorge Valdanon, i cili ishte drejtori i përgjithshëm i Realit në atë periudhë.
Jorge më donte mua si ndihmës i Mourinhos. Këtë gjë më tha Hierro, ndërsa unë i kërkova të ndalonte konsumimin e alkoolit pasi ishte shumë herët. Ika në shtëpinë e tij, biseduam pak me Valdanon. Atë pasdite më telefonoi edhe Mourinho. Jose më kërkoi mendimin tim në lidhje me ish-futbollistë si Seedorf, Figo dhe Mijatovic. Nuk isha takuar kurrë më parë me portugezin. Së shpejti kuptova që rrethohesha nga miq të mirë”, përfundon Karanka, i cili qëndroi tre vite si ndihmës i “special one” dhe më pas mori drejtimin e Middlesbrough në Angli. /abcnews.al