“Hidrodrini” reagon pas ngritjes së aktakuzës ndaj dy zyrtarëve të kompanisë për helmimet në Deçan

schedule08:03 - 8 Shkurt, 2022

schedule 08:03 - 8 Shkurt, 2022

Kompania Rajonale e Ujësjellësit në Pejë “Hidrodrini”, ka reaguar pas ngritjes së aktakuzës nga Prokuroria e Pejës ndaj dy zyrtarëve të kësaj kompanie, lidhur me helmimin e mbi 1 mijë e 500 qytetarëve të Komunës së Deçanit nga uji i pijes, në korrik të vitit të kaluar

KRU “Hidrodrini” ka deklaruar se nga mediat ka mësuar se sot Prokuroria Themelore e Pejës ka ngritur aktakuzë ndaj dy zyrtarëve të kompanisë së tyre, gjegjësisht Drejtorit të Departamentit Teknik dhe kimistes së kompanisë, mbi dyshimet për rastin Deçani.

“KRU ‘Hidrodrini’, që nga momenti i parë i shfaqjes së kësaj problematike, (datë 11.07.2021) krahas veprimeve urgjente mbi ndërmarrjen e masave përkatëse profesionale, ka inkurajuar të gjithë akterët relevant, organet e rendit, ligjit dhe drejtësisë që të punojnë në zbardhjen e të vërtetës. Në këtë kuadër, KRU ‘Hidrodrini’, ka qenë bashkëpunues edhe me organet e prokurorisë e madje edhe duke ftuar publikisht në zbardhjen e rastit”, thuhet në reagim.

Më tej në reagim thuhet se mbi pretendimet e Prokurorisë, KRU ‘Hidrodrini’ zotohet për transparencë me të gjitha organet e hetuesisë dhe me opinionin deri në zbardhjen e së vërtetës së shkakut për rastin në fjalë.

Aktakuzat e ngritura sot, deri në verdiktin final të Gjykatës përkatëse, mbeten vetëm pretendime. Andaj, me këtë rast, lusim mediat, opinionin dhe të gjithë akterët e përfshirë, për korrektësi e mirëkuptim, kjo duke qenë të bindur thellë se vetëm kështu i ndihmojmë të vërtetës. Po ashtu, cilësimet dhe deklaratat nga politika, mbi çështjen, mendojmë se nuk janë në shërbim të zbardhjes së vet rastit”, thuhet në reagim.

Ndryshe, të hënën Prokuroria Themelore e Pejës ka ngritur aktakuzë ndaj dy zyrtarëve të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit në Pejë “Hidrodrini”, lidhur me rastin e helmimit të mbi 1 mijë e 500 personave në korrik të vitit të kaluar, në Deçan.

Prokurori i rastit, Dorjan Juniku, ka deklaruar se aktakuza është ngritur kundër drejtorit të Departamentit Teknik, dhe kundër kimistes së “Hidrodrinit”.

“Pas një hetimi disa mujor për çështjen penale që ka të bëjë me rastin e njohur si helmimet e mbi e 1 mijë e 500 qytetarëve të Komunës së Deçanjit dhe fshatrave përreth, sot me datë 07.02.2022, kam ngritur dhe ekspeduar në Gjyjatën Themelore në Pejë, dega në Deçan, aktakuzën kundër dy zyrtarëve si persona përgjegjës të kompanisë rajonale “Hidrodrini” në Pejë dhe atë kundër drejtorit të Departamentit Teknik, për veprën penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” dhe kundër kimistes së po kësaj kompanie për veprën penale “Mosevitimi i rrezikut””, ka deklaruar ai.

Juniku deklaroi se 872 persona kanë pasur simptoma të cilat iu referohen helmimit nga uji i pijshëm, dhe është konstatuar se kanë pasur bakterin Escherichia Coli dhe bakterin e njohur si “Nova Virus”.

“Mbi 1 mijë e 500 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore, mirëpo 872 kanë pasur simptoma të cilat i referohen helmimeve nga uji i pijshëm, për çka edhe nga raporti i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike është konstatuar se kanë pasur bakterin Escherichia Coli dhe bakterin e njohur si Novo Virus, e shkaktuar nga mungesa e klorit dhe testimeve shumë të pakta dhe aspak të rregullta, ashtu siç përcaktohet nga udhëzimet e po kësaj kompanie”, ka deklaruar Juniku./Express