Është hedhur sot në Nion të Zvicrës shorti i eliminatoreve të kualifikueseve të Kampionatit Europian 2021 për moshën U17. Kombëtarja jonë ka mësuar edhe kundërshtarët. Kuqezinjtë e vegjël do të luajnë ndaj Italisë, Skocisë dhe Irlandës së Veriut. FSHF në njoftimin e saj tregon detajet.
NJOFTIMI – “Sot në Nion, në selinë e UEFA-s, është hedhur shorti për kualifikueset e Kampionatit Europian 2021 për kombëtaren U-17 të Shqipërisë. Kuqezinjtë në këtë “Qualifying Round” janë shortuar në Grupin 12 së bashku me Italinë, Skocinë dhe Irlandën e Veriut.
Ndeshjet kualifikuese do të nisin nga 1 korriku i vitit 2021 dhe do të përfundojnë në 16 nëntor të po këtij viti. Janë gjithsej 13 grupe, me nga katër skuadra, ku dy ekipet e para të çdo grupi dhe katër ekipet më të mira të vendeve të treta, do t’i bashkohen Holandës dhe Spanjës në pranverën e vitit 2022. Izraeli, që është edhe vendi pritës, do të shkojë direkt në finalet e turneut, që do të mbahen në maj të vitit 2022.
Në ditët në vijim do të njiheni me datat e sakta të ndeshjeve dhe vendin organizator të këtij raundi kualifikues. /abcnews.al