Mbërrin në Shqipëri akt-ekspertiza e kryer në Angli mbi audio-përgjimin mes Albert Veliut, të njohur si “Babalja” dhe një personi tjetër që pretendohet të jetë vëllai i ministrit të Brendshëm.
Burime jozyrtare konfirmuan se përgjigja e laboratorit britanik është përcjellë përmes letërporosive në Ministrinë e Drejtësisë e më tej në Prokuroriën e Përgjithshme. Sipas burimeve, ekspertët kanë shfaqur rezerva në lidhje me origjinalitetin e materialit të dërguar për ekspertim.
Pasi të përkthehet në Prokurorinë e Përgjithshme, përgjigja do t’i përcillet Krimeve të Rënda. Hetimi për “Babalen” nisi pas publikimit nga Partia Demokratike të një audio-përgjimi, që sipas Albert Veliut është zhvilluar në një lokal në qytetin e Vlorës, ku ai ka diskutuar me Geron Xhafën, vëllain e ministrit Fatmir Xhafa, për transportimin e një sasie droge jashtë vendit. /abcnews.al