Nënkryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Toni Gogu ka reaguar pas mbledhjes e sotme të Komisionit Hetimor për zgjedhjet e 25 Prillit, ku anëtarët e PS-së u larguan. Ai akuzon opozitën për rrjedhën që mori mbledhja e sotme e komisionit. Sipas tij, PD me provokimet dhe injorimin e shumicës po tenton ta kthejë komisionin në “Foltore”.
“Në shkelje të ligjit për komisionet hetimore (neni 10/1, 11/1 , 13/2 dhe 24) dhe të rregullores së kuvendit ( neni 25/2 , 34, 38, 49, 50, 51, 71, 75 e në mënyrë të posacme të nenit 76, Kryetari i komisionit hetimor zoti Alibeaj, në mënyrë të përsëritur injoroi të drejtën e maxhorancës për të paraqitur propozimet e neneve të draft rregullores deri në shkeljen flagrante të mos marrjes në konsideratë të rezultatit të votimit.
Pas thirrjeve të vazhdueshme për të futur në shinat e ligjshmërisë procesin e votimit, u detyruam të kërkonim pushim sipas nenit 39/1, paragrafi 3. Ne mbetemi vullnet plotë për rifillimin në çdo moment të mbledhjes në respekt të plotë të Rregullores së Kuvendit.
Provokimit të vazhdueshëm për të nxjerrë komisionin nga udha e ligjshmërisë në përmbushje të funksionit të tij të hetimit e për ta kthyer në “foltore” nuk do i përgjigjemi kurrë pozitivisht. Gjithashtu jemi të vendosur të mos lejojmë në asnjë moment në veprimtarinë e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, imponimin e dhunshëm të kulturës së tyre partiake të votimit” deklaron Gogu.
Në mbledhjen e sotme palët arritën të bëheshin bashkë në tryezë, por pasi u diskutuan dhe u miratuan disa nga çështjet e rendit të ditës, deputetët e Partisë Socialiste u larguan nga mbledhja e Komisionit Hetimor. Në këtë mënyrë rregullorja e Komisionit Hetimor nuk u miratua.
Kreu i komisionit Hetimor, Enkeljed Alibeaj akuzoi se përfaqësuesit e PS u larguan për shkak se nuk bien dakord për të thirrur për të dëshmuar kryeministrin Rama, ministrat apo funksionar të tjerë./ db/Abcnews.al