Hetimi: Opozitari Aleksei Navalny u helmua nga shteti rus

schedule16:36 - 14 Dhjetor, 2020

schedule 16:36 - 14 Dhjetor, 2020

Një hetim i përbashkët në mes të grupit hulumtues me bazë në Britani, Bellingcat dhe disa mediave tjera, ka rezultuar me disa të dhëna që tregojnë se helmimi i liderit opozitar rus, Aleksei Navalny është kryer nga Shërbimi Federal i Sigurisë së Rusisë (FSB).

Duke cituar “të dhëna voluminoze në formë të telekomunikimeve apo të dhënave të udhëtimit, hetimi, që ka përfshirë mediumet si Insider, faqe hulumtuese ruse, dhe bashkëpunimin me Der Spiegel dhe CNN, ka treguar se helmimi i gushtit të vitit 2020 i kritikut të Kremlinit në qytetin siberian, Tosk, duket se është planifikuar, të paktën nga viti 2017.

“Nga fillimi i vitit 2017 e deri në gusht të vitit 2020, pjesëtarët e FSB-së, nga një njësi klandestine e saj, që është e specializuar për të punuar me substanca helmuese, ka shërbyer si hije e Navalnyt përgjatë udhëtimeve të tij në Rusi, ka fluturuar bashkë me të në më shumë se 30 fluturime dhe duket se ka bërë përpjekje të paktën dy herë për ta helmuar atë, para operacionit në Tomsk”, ka thënë ky grup përmes një deklarate të publikuar më 14 dhjetor.

Navalny është aktualisht në Gjermani, duke u shëruar pas helmimit me agjent nervor Noviçok në Siberi, në gusht të këtij viti. Navalny ka insistuar se presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar helmimin e tij ndaj tij. Kremlini ka mohuar përfshirjen.

Bellingcat ka thënë se hetimi ka identifikuar tre pjesëtarë të FSB-së, nga kjo njësi klandestine, që kanë udhëtuar bashkë me Alexey Navalnyn në Novosibirsk dhe më pas e kanë ndjekur në qytetin Tomsk, ku është helmuar.

Të tre personat janë mbështetur dhe drejtuar nga “të paktën” pesë pjesëtarë tjerë të FSB-së, disa prej të cilave kanë udhëtuar po ashtu në Omsk, ku Navalny është shtruar në spital edhe është sëmurë, thuhet mes tjerash në raport.

Në të përmenden emrat e tre pjesëtarëve, Aleksei Alexandrov, Ivan Osipov –të dy mjekë- dhe Vladimir Paniaev. Aty nuk përmendet nëse është tentuar që të kontaktohen personat që dyshohen se janë përfshirë.

“Pjesëtarët e njësitit kanë komunikuar me njëri-tjetrin përgjatë operacionit, derisa piku i komunikimeve ka qenë para helmimit si dhe gjatë orëve të natës kur Aleksei Navalny ka lënë hotelin e tij dhe është nisur në Aeroportin e Tomskut”, është thënë pas hulumtimit.

Navalny është sëmurë në një fluturim drejt Moskës pak pasi është nisur, duke shtyrë pilotin që të bëjë ulje emergjente në qytetin e Omskut, ku 44-vjeçari është shtruar në spital për disa ditë para se të dërgohej në Berlin.

Mjekët kanë gjetur se ai është helmuar me agjent nervor. Raporti i grupit Bellingcast vjen dy ditë pasi e përditshmja britanike, Times, ka cituar burime të inteligjencës perëndimore duke thënë se tentimi i dytë për të helmuar Navalnyn është bërë para se ai të nisej në Gjermani.

Bellingcat ka thënë se analizimi i të dhënave të thirrjeve telefonike të 12 zyrtarëve të FSB-së, të lidhur me Institutin rus të Kriminalistikës, ka treguar se një njësit i FSB-së posedon një mori armësh kimike, hapësirë e cila i ngjan laboratorit të udhëhequr nga Agjencia Shtetërore e Inteligjencës (KGB), në periudhën sovjetike.

Shërbimi Federal i Sigurisë (FSB), është pasardhës i KGB-së, veprimtaria e së cilës është ndalur më 1991, gjatë shpërbërjes së ish-Bashkimit Sovjetik.

“Duke analizuar të dhënat rreth thirrjeve telefonike, të udhëtimeve dhe informacioneve tjera, ne kemi identifikuar të paktën pesë pjesëtarë që punojnë me njësitin e FSB-së, Institutin e Kriminalistikës. Të paktën tetë prej tyre – duke përfshirë udhëheqësin e tyre [Stanislav] Makshakov – kanë qenë të përfshirë drejtpërdrejt në disa faza të atyre që duket se kanë qenë tentime për të helmuar Navalnyn”, ka thënë raporti.

I ashtuquajturi “ekipi i helmimit”, ka ndjekur Navalnyn prej të paktën 16 janarit të vitit 2017, ka thënë Bellingcat, vetëm një muaj pasi ai ka bërë publike planet e tij për të garuar në zgjedhjet presidenciale të vitit 2018.

Udhëtimet janë kryer kryesisht me mbulesë – duke përdorur një emër në nisje dhe një emër tjetër në kthim – andaj ekipi ka kryer udhëtime paralele për fshehur lëvizjet.

“Një operacion i tillë mund të jetë bërë me praktika të operacioneve profesionale për të zvogëluar mundësitë që Navalny apo ekipi i tij të vërejnë pasagjerët e njëjtë në udhëtime të ndryshme”, ka thënë raporti, duke përmendur se janë kryer 38 udhëtime nga anëtarët e grupit në të njëjtat destinacione që ka udhëtuar Navalny.

Bashkimi Evropian dhe Britania kanë ngrirë asetet dhe kanë vënë ndalesa në udhëtime kundër gjashtë zyrtarëve të lartë rusë që besohet se janë përgjegjës për helmimin e Navalnyt, si dhe ndaj një subjekti që është përfshirë në programin që ka prodhuar një grup të agjentëve nervorë të kategorisë ushtarake, të njohur si Noviçok.

Agjenti i përdorur për helmim të Navalnyt duket se është i ngjashëm me atë që është identifikuar nga autoritetet britanike si toksinë e përdorur për helmimin – gati fatal – të agjentit të dyfishtë rus, Sergei Skripal dhe vajzës së tij Yulia më 2018, në qytetin britanik, Sallsbëri.REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!