Hetimi ndaj gjyqtarëve, ILD nënshkruan marrëveshje me homologët rumunë

schedule16:47 - 8 Shkurt, 2022

schedule 16:47 - 8 Shkurt, 2022

Në kuadër të vizitës së punës që po zhvillon në Rumani, Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani ka nënshkruar një marrëveshje me homologun rumun Lucian Netejoru lidhur me forcimin e bashkëpunimit në fushën e përmirësimit të dhënies së drejtësisë.

Të pranishëm gjatë ceremonisë së nënshkrimit ishin ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Rumani, Ilir Tepelena dhe inspektorë e anëtarë të kabinetit të zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe të Inspektoratit Gjyqësor të Rumanisë.

Memorandumi mes Zyrës  së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë së Shqipërisë dhe Inspektoratit Gjyqësor të Rumanisë “synon forcimin e marrëdhënieve ndërinstitucionale dhe shkëmbimi i praktikave më të mira në lidhje me procedurat e verifikimit të ankesave, hetimin e shkeljeve disiplinore, fillimin e procedimeve disiplinore ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve si dhe për inspektimet institucionale dhe tematike”, thotë ILD.

Në përgjigje të interesit të agjensisë rumune të lajmeve AGERPRES, Inspektori i Lartë i drejtësisë Metani tha se kjo vizitë pune është për të mësuar nga rruga që vendi ka përshkruar dhe nga eksperienca rumune në përpjekjet për të ndërtuar një sistem gjyqësor korrekt dhe të drejtë, si pjesë e detyrave për t’u bërë vend anëtar i BE-së, një sfidë e ngjashme edhe për Shqipërinë.

“Ky është një kontribut real nga Inspektoriati Gjyqësor rumun tek Inspektori i Lartë i Drejtësisë së Shqipërisë për të shkëmbyer praktikat më të mira sa i takon hetimit dhe monitorimit të punës së gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe gjithashtu në shkëmbim eksperiencash, inspektorësh. Njerëz nga ILD do vijnë herë pas here të takohen e punojnë me inspektorët rumunë por edhe inspektorët rumunë do vijnë në Shqipëri. Do organizojmë konferenca të përbashkëta, do publikojmë manuale të përbashkëta e materiale që janë të rëndësishme për punën e gjyqtarëve e prokurorëve në Rumani por edhe në Shqipëri. Këto janë kontribute reale për përmirësimin e punës së dy inspektorateve dhe padyshim do ketë rezultate më të mira në punën e monitorimit të punës së gjyqtarëve e prokurorëve”, u shpreh Metani.

Ndërsa shefi i Inspektoriatit Gjyqësor të Rumanisë kujtoi se vitin e shkuar, së bashku me kolegë nga Franca, Italia dhe Portugalia, anëtarë të Rrjetit Evropian të Shërbimeve të Inspektimit të Gjyqësorit, i cili u themelua më 2017, me iniciativën e Rumanisë, kanë qenë në Shqipëri në kuadër të një vizite të organizuar nga Këshilli i Evropës.

“Në kuadër të kësaj vizite, e cila synonte të vlerësonte përmbushjen e kushteve për anëtarësimin e Inspektoratit të Drejtësisë së Shqipërisë në rrjetin tonë, zbuluam, si unë, ashtu edhe kolegët nga vendet e tjera, realizimet dhe statusin aktual të jashtëzakonshëm të Inspektoratit të Drejtësisë në Shqipëri. Kuptuam se kemi shumë ngjashmëri mes legjislacioneve, por edhe në praktikë mes Zyrës së Inspektorit të Lartë për Drejtësinë dhe Inspektoratit të Gjyqësorit në Rumani dhe kjo, që në fillim, ndërtoi premisat e këtij bashkëpunimi të cilit sot po i vendosim gurin e themelit. Është e nevojshme, dhe të gjitha vendet e tjera ishin dakord, të bashkëpunojmë ngushtë me Inspektoratin e Drejtësisë në Shqipëri, në kuadër edhe të procesit të mbështetjes që i japim procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian”, u shpreh Lucian Netejoru.

Metani dhe Neteroju nënvizuan se vizitat studimore dhe shkëmbimi i eksperiencës do të jenë mjetet kryesore për realizimin e këtij komunikimi që u formalizua me nënshkrimin e memorandumit të mirëkuptimit mes dy inspektorateve të drejtësisë. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!