Ervin Bushati është deputeti i parë socialist që hetohet nga SPAK-u, pasi Partia Demokratike e denoncoi për mosdeklarim të pasurisë dhe falsifikim të dokumenteve. I ftuar në Radarin Informativ në “ABC” përballë gazetares Jonida Shehu, ai u shpreh i pashqetësuar, ndërsa deklaroi se nuk ka punuar asnjë ditë në shtet dhe në ekzekutiv dhe se pronat i ka të gjitha të trashëguara nga familja. Bushati tha se SPAK-u nuk ka konfirmuar hetimin kundër tij, por i ktheu përgjigje PD-së duke i thënë se “e kemi këtë çështje”. Të gjithën, ai e cilëson një cështje politike, që shton se “kam votuar për këtë drejtësi, le të çohet deri në fund”. Bushati foli edhe për miratimin e buxhetit për vitin 2021, ku theksoi se nuk është parashikuar asnjë skenar si ai i vitit të kaluar, mbyllje totale.
Intervista e plotë e Ervin Bushatit në “ABC”
Zoti Bushati, si e keni përjetuar këtë pjesën e akuzave dhe deklaratën e ambasadores së SHBA-së Yuri Kim?
Nuk e di sa interesohen qytetarët, megjithatë shkurt dua të them….
Në një vend ku korrupsioni dhe çështja e deklarimit të pasurisë, patjetër që u intereson….
Kjo është një iniciativë politike e PD-së, unë kam që në 2011 që i kam deklaruar të gjitha. Në 2017 me iniciativë të PD, ka dërguar dy çështje ndaj meje, kur u hapën diskutimet për taksën e kunatit të Bashës, një e ka humbur, tjetra u mbyll në prokurori. PD nuk e pranoi mbylljen dhe e çoi në SPAK. Unë nuk kam punuar në role ekzekutive, nuk kam vendosur asnjë pasuri në politikë janë prona të familjes. Më vjen keq që PD ka degraduar duke u marrë me cështje private, të familjes, të trashëguara nga im atë.
Ku e ka fillesën, ndonjë pasaktësi në deklarim në ILDKPKI?
Nuk ka asnjë pasaktësi. Prandaj është mbyllur nga prokuroria, ata e kanë vazhduar, unë kam besim në drejtësi, le të shkojë deri në fund. Po shqetësohesha se nuk po gjenin asgjë për mua. Je të gërmojnë.
Jeni i qetë?
Po.
Nuk keni frikë?
Unë i kam të ardhura private. Unë nuk kam punuar asnjë ditë në shtet. Por le t’ia lëmë drejtësisë.
Por jeni në politikë…
Prandaj i kam deklaruar, pse do i kisha fshehur? Nuk ka motiv.
Pse tani?
Sepse të njëjtën deklaratë, e kam pasur që në 2011 kur kam qenë në këshillin bashkiak Tiranë, edhe ka pasur mundësinë zoti Basha. Pse tani? Tani si kryetar i PS-së Tiranë, me hapjen e fushatës, ka nisur për cdo njeri, si për kryetarin e grupit parlamentar dhe për gjithë të tjerët, kanë çuar edhe këtë, shumë mirë bëjnë, kur të dalë edhe kjo. Unë kam besim se kam votuar për këtë ditë dhe besoj shumë te drejtësia.
Ju shqetëson?
Më shqetëson nga pikëpamja personale, se unë kam njerëz në shtëpi dhe kur e lexojnë nuk ndihen mirë. Aq më tepër kur flitet për procese që kanë të bëjnë me trashëgiminë, im atë ka 12 vite që ka vdekur. Por këto janë cështje personale.
Ju shqetëson mesazhi nga ambasadorja amerikane, për inkurajimin e SPAK-ut?
Nuk ka konfirmuar hetimin ndaj meje, është shkruar që e kemi këtë cështje. Ata i kanë kthyer përgjigje PD-së, që çoi para një jave një letër, që ishte e revoltuar përse nuk po hapen…
PD-ja e dorëzoi para dy vitesh?
Po, dy cështje, një civile dhe një penale.
Pse tani?
Njëra ra nga gjykata, ku më kishte hedhur kunati i zotit Basha për prishje imazhi dhe tjetra ra nga prokuroria dhe PD-ja e çoi prapë në SPAK. Unë nuk kam asnjë të ardhur për të fshehur, i kam të trashëguara. Kjo është absurde. Më vjen mirë, se duket se nuk më kishin gjetur asgjë deri tani, dhe tani më barazojnë me shokët.
Kalojmë te buxheti, është konsultuar me grupet e interesit?
Viti 2020 ka qenë shumë i vështirë, qeveria është me kokën lart, thotë ja ku jemi, kur të gjithë prisnin që të kapitullonte që në mars. Janë ndihmuar bizneset, kanë qenë pagat e luftës, janë falur gjoba dhe kamatëvonesa. Në 2021 do të ketë investime të mëdha dhe një deficit më të madh. Ky është një buxhet lufte.
Ekspertët kanë deklaruar se është më pak i konsultuari…
Është konsultuar, kush e bëri politikanët? Ky është një vit që njerëzit kane qenë të mbyllur brenda.
Prandaj e keni pasur vështirë?
Jo, është konsultuar, por nuk mund të pritet që të ketë konsulta aq të mëdha. Deficiti mund të shkojë 6.5-7% në raport me PPB. Ekonomia shqiptare nuk ka pasur një rënie të konsiderueshme, disa sektor kanë performuar mirë si turizmi dhe bujqësia.
Sa parashikohet rritja ekonomike në 2021?
Megjithatë, ne mendojmë se do të jetë 5.5%.
Është shumë optimiste?
Nuk mendoj se është shumë optimiste.
E keni konsideruar një skenar, për atë që nuk e dimë?
Të gjitha projeksionet janë që do të ketë një rritje të shpejtë ekonomike, nëse do të futet edhe vaksina. Këto janë projeksione.
Ka ndonjë pjesë në buxhetin e 2021 që parashikon ditë shumë të vështirë?
Jo! Nuk mendoj që…
Një mbyllje si ajo në pranverë nuk e keni parashikuar?
Nuk mendoj se do të ketë një mbyllje totale. Nuk mendoj se ka për të ndodhur, pasi përshtatja ka qenë më e mirë. Shoqëria shqiptare ka ditur shumë mirë të sillet me maturi përballë kësaj situate.
Do të ketë një mbështetje për ata që kanë pasur një vështirësi në 2020 për shkak të pandemisë, përveç turizmit dhe bujqësisë, pjesa tjetër e shërbimeve, që akoma po vuajnë pasojat?
Në radhë të parë do të ketë rroga më të mira për ata që janë në frontin e partë, po ashtu edhe për mësuesit. Nga 1 janari e bëjmë zero tatim fitimin për bizneset e vogla, ulet TVSH për 91% të bizneseve. Në bujqësi, turizëm, fasonët, kemi pasur masa, nëse do të ketë nevojë do të ketë masa të tjera në 2021.
Sa është rritur papunësia?
Papunësia zyrtare nuk mendoj se është rritur shumë. Është gati Shqipëria për të punuar prapë, nuk mendoj se do të ketë ngushtime si në vendet e tjera, jemi një vend i vogël që ngrihemi shpejt.
Apo jemi para zgjedhjeve…?
Shqiptarët votojnë përgjegjshmërinë dhe jo ëndrrat.
A është ky buxhet elektoral?
Jo! Fare.
Është reflektuar në këtë buxhet, gjithë kërkesat, ankesat, sugjerimet për PPP-të për shpërndarjen e parave?
Po të hysh në logjikën e gabuar të opozitës, nuk janë të përgjegjshëm për atë që thonë. T’u heqësh shërbimet qytetarëve atëherë është e gabuar. Nëse mendojnë se ka gabime juridike apo abuzime janë cështje të drejtësisë.
……………………….
Procedimi penal kundër Ervin Bushatit është në fazën e hetimit dhe po ndiqet prej 8 muajsh nga prokurorja e SPAK-ut, Doloreza Musabelliu. PD e depozitoi kallëzimin që në tetor 2018 dhe çështja u kalua nga Prokuroria e Tiranës tek SPAK. PD-ja e akuzon socialistin se nuk deklaroi 7 pasuri të paluajtshme, përfshirë më shumë se 3100 metra2 truall në Tiranë, Qerret dhe Sarandë.
7 pasuritë që PD-ja akuzoi Ervin Bushatin se nuk i deklaroi
- Një pasuri me sipërfaqe 938 m2 truall, në Tiranë, e regjistruar më 21.04.2017.
- Një pasuri me sipërfaqe 600 m2 truall, me sipërfaqe ndërtimi 327 m2, në Tiranë, e regjistruar më 21.04.2017.
- Një pasuri me sipërfaqe 938 m2 truall, në Tiranë, e regjistruar më 25.07.2014.
- Një pasuri me sipërfaqe 76 m2, ndërtesë, në Qerret, Kavajë, e regjistruar më 30.05.2016.
- Një pasuri me sipërfaqe 376 m2 truall, në Qerret, Kavajë, e regjistruar më 30.05.2016.
- Një pasuri me sipërfaqe 660 m2 truall, në Sarandë, e regjistruar më 17.07.2014.
- Një garazh me sipërfaqe 42 m2, në Sarandë.
db/Abcnews.al