Hetimet për vdekjen e Arjan Salës, çfarë e shkaktoi zjarrin në magazinë

schedule16:43 - 28 Mars, 2021

schedule 16:43 - 28 Mars, 2021

Nga Xhensila Kodra

Ekspertiza paraprake ka treguar se zjarri i fuqishëm në magazinën e qendrës tregtare te kthesa e Kamzës është shkaktuar nga një shkëndijë elektrike në një tel rrymë përcjellës që lidhej me një ndriçues.

Sipas grupit hetimor, shkëndijat kanë rënë mbi materialet që ndodhen aty, si rroba e produkte të tjera lehtësisht të djegshme.

Bashkë me Arjan Salën, në magazinë u futën edhe 3 punonjës të tjerë të sigurisë private, si dhe djali i pronarit.

Sapo flakët u përhapën me shpejtësi, ata mundën të dilnin prej andej. 32-vjeçari Sala tentoi të fikë zjarrin me dy fikëse dore, por për shkak të flakëve të mëdha e tymit të dendur mbeti i bllokuar.

Burime pranë grupit hetimor sqaruan se ekspertiza përfundimtare pritet të dalë gjatë javës.

Verifikime nga policia dhe prokuroria po kryhen për të përcaktuar nëse janë zbatuar siç duhen masat kundër zjarrit në objekt, si dhe nëse ky ambient ka pasur ose jo funksionale sinjalistikat dhe daljet e emergjencës.

Trupi i 32 vjeçarit u gjet në orët e para të së shtunës pas 50 orësh kërkime intensive. Ai u përcoll për në banesën e fundit nga familjarët, ndërsa qeveria pritet ta shpallë Dëshmor të Atdheut. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!