Hetimet për uniformat, gazetari Vija: Asnjë zyrtar i lartë nuk është marrë në pyetje

schedule19:32 - 23 Shtator, 2021

schedule 19:32 - 23 Shtator, 2021

Gazetari Ermal Vija ka deklaruar në ABC se në lidhje me abuzimin me tenderin e uniformave të policisë nuk është marrë në pyetje asnjë zyrtar i lartë, përfshirë këtu edhe ministrin e Brendshëm të asaj kohe Sandër Lleshaj.

Vija deklaroi në “Radarin Informativ”, përballë koleges Jonida Shehu të gjithë personat e vënë nën akuzë kanë mohuar përgjegjësinë në lidhje me këtë çështje, por shtoi se pas ballafaqimit, prokuroria ka dalë në përfundim duke u komunikuar akuzat 9 zyrtarëve përgjegjës.

Lexo edhe: Mbyllen hetimet për uniformat, 9 zyrtarë merren të pandehur

“Prokuroria ka kërkuar një ballafaqim. Dy ditë më parë prokuroria ka dalë në përfundim duke u komunikuar akuzat. Për 9 prej tyre është ngritur akuza për shkeljen e barazisë në tendera. Në tenderin e uniformave të policisë së shtetit sipas prokurorisë është abuzuar duke favorizuar një kompani e cila është bashkimi I tre kompanive të tjera.

Personat e akuzuar hidhnin përgjegjësinë ndaj njëri tjetrit. Për tenderin kanë pasur dijeni edhe zyrtarë të lartë, por nuk ekziston firmë apo ndonjë gjurmë për të vërtetuar implikimin e tyre.

Në fazën e mbledhjes së informacionit, prokuroria e ka ezauruar pas denoncimit të deputetit të asaj kohe Myslim Murrizi. Deri më tani në pyetje janë marrë vetëm personat përgjegjës por asnjë nga drejtuesit. Ministri i Brendshëm në atë kohë Sandër Lleshaj nuk është thirrur, sepse edhe në bazë të kodit të procedurës nuk është përgjegjësia e ministrit por e atyre që hedhin firmën.

Të gjithë personat që janë sot përballë drejtësisë kanë mohuar të kenë përgjegjësi sa i përket tenderit. Por prokuroria ka dalë në përfundim për të kundërtën. Duhet të ketë edhe një seancë tjetër ku prokuroria i kërkon gjykatës që personat e vënë nën akuzë të kalojnë për gjykim. Gjykata do të vendosë”, deklaroi Ermal Vija. /Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!