Hetuesit janë duke përqendruar hetimet te dy motorët GEnx të Boeing 787 të Air India, pasi dyshohet se ata janë ndalur pothuajse në të njëjtën kohë menjëherë pas ngritjes nga pista, gjatë aksidentit tragjik të ndodhur më 12 qershor. Sipas hetimeve, problemi mund të ketë filluar që gjatë përshpejtimit në pistë, në momentin kur avioni kishte arritur shpejtësinë që nuk lejonte më ndërprerjen e ngritjes.
Avioni Boeing 787, i cili transportonte 242 persona, përfshirë 230 pasagjerë, 10 anëtarë të ekuipazhit dhe dy pilotë, ishte nisur nga Ahmedabad në Indi dhe kishte destinacion Londrën Gatwick. Rreth 30 sekonda pas ngritjes, ai humbi lartësinë dhe u përplas mbi disa ndërtesa, duke përfshirë kantinën e një spitali universitari.
Nga kabina ishte dërguar sinjali i emergjencës “mayday”, por pilotët nuk arritën të japin më shumë shpjegime. Një pasagjer arriti të shpëtojë duke dalë nga avioni që po digjej. Deri tani, viktimat janë 270, përfshirë 241 në avion dhe 29 në tokë, dhe pritet që ky numër të rritet.
Analiza e një videoje tregon se pak para përplasjes ishte aktivizuar “Ram air turbine”, një turbinë emergjente që ndizet automatikisht kur humbet totalisht energjia elektrike ose presioni hidraulik, duke nënkuptuar ndalimin e motorëve. Kjo mbështet dyshimet për një defekt në motorë
Ekspertët kanë testuar disa skenarë të mundshëm në simulator, duke marrë parasysh peshën e avionit, temperaturën në pistë (37°C), dhe pozicionin e flap-eve. Vetëm skenari i ndalimit të të dy motorëve çoi në aksident.
Hetimi është ende në zhvillim dhe nuk përjashton asnjë mundësi, përfshirë defektin mekanik, gabimin njerëzor, sabotažën, ose defektin e softuerit që kontrollon motorët. Pas aksidentit, përfaqësues të Boeing dhe GE Aerospace, kompania prodhuese e motorëve, kanë zhvilluar takime të pazakonta në selinë e Air India në Nju Delhi, me autoritetet indiane./abcnews.al