Polemikat e “sherrit” mes Zlatan Ibrahimovic dhe Romelu Lukakut vazhdojnë të jenë një nga temat më të nxehta në Itali. Përplasja mes dy lojtarëve ka tërhequr shumë vëmendje dhe deri më tani ka reaguar vetëm suedezi, i cili ka mbrojtur veten duke mohuar thirrjet raciste.
Megjithatë, FIGC ka konfirmuar se prokurori federal ka hapur një hetim tashmë për këtë ngjarje. Për të shpjeguar më mirë se çfarë ndodhi gjatë çerekfinales së Kupës së Italisë ai ka thirrur edhe gjyqtarin e takimit, Paolo Valeri, për të dhënë dhe ai deklaratën e tij.
“Prokurori federal, Giuseppe Chine ka hapur një procedim këtë mëngjes në lidhje me përplasjen verbale mes Ibrahimovic e Lukakut në ndeshje e 26 janarit Inter-Milan. Si pjesë të hetimit, prokurori federal ka vendosur të thërrasë gjyqtarin Paolo Valeri, i cili do të sqarojë nga afër sanksionet e tij ndaj dy lojtarëve gjatë ndeshjes”, shkruhet në deklaratën zyrtare të Federatës Italine të Futbollit. /abcnews.al