Administrata e Donald Trump ka nisur hakmarrjen ndaj demokratëve në Minnesota, pasi ata kanë dënuar hapur ndërhyrjen e e agjentëve të emigracionit dhe doganave, që kanë lënë të paktën një viktimë dhe disa të plagosur.
Departamenti i Drejtësisë ka hapur një hetim ndaj guvernatorit Tim Walz dhe kryebashkiakut të Minneapolis Jacob Frey, për komentet e bëra në lidhje me agjencinë e emigracionit dhe doganave.
Hetimi është përqendruar në një statut federal, i cili e bën krim që dy ose më shumë persona të komplotojnë për të parandaluar oficerët federalë të kryejnë detyrat e tyre.
Walz tha se përdorja e sistemit të drejtësisë si armë ndaj kundërshtarëve është një armë taktike dhe se i vetmi person që duhet hetuar është agjenti federal që vrau 37-vjeçaren Renee Good.
Ndërkohë Frey, që ka përdour një gjuhë tejet kritike ndaj administratës së Trump, tha se nuk është i frikësuar nga lëvizja më e fundit e Departamentit të Drejtësisë.
Hetimi vjen ndërsa një gjyqtar federal kufizoi taktikat që agjentët e emigracionit dhe doganave dhe zyrtarë të tjerë të zbatimit të ligjit mund të përdorin në Minneapolis, duke bllokuar përdorimin e sprejit djegës dhe arrestimet e protestuesve paqësorë.
Protestat nuk janë ndalur në Minneapolis, ku mijëra agjentë federalë janë në rrugë në zbatim të një operacioni kundër emigracionit, që departamenti i drejtësisë e cilëson më të madhin.
Ngjarjet vijnë teksa detaje të reja dolën në dritë në lidhje me vdekjen e Good. Gruaja nga Minneapolis u gjet nga ndihmësit mjekësorë me të paktën tre plagë nga arma e zjarrit dhe ndoshta një të katërt në kokë, sipas raporteve zyrtare. / abcnews.al /


