Ish-deputetja e LSI Nora Malaj e cila nuk fitoi mandat në zgjedhjet e 25 prillit duket më e tërhequr nga politika, megjithëse ajo vetë më herët ka nënvizuar se do vijojë të jetë në LSI, duke marrë një rol më të “padukshëm”, të cilësuar si analizues.
Sot në studion e emisionit “Log.”, u diskutua “heshtja” e LSI pas zgjedhjeve të 25 prillit si dhe ftohja e saj me PD. Ndryshe nga para zgjedhjeve, shumë figura të LSI nuk janë parë më në ekrane, por kanë zgjedhur të jenë më të tërhequra.
Kjo u nënvizua dhe nga analistët e ftuar në studio, Lorenc Vangjeli, Agim Baçi dhe Mentor Nazarko.
Por ish-deputetja Nora Malaj ka shprehur dëshirën për të qenë e ftuar në studio. Ndërkohë që po bëhej ky diskutim ajo i shkruan një mesazh drejtuesit të emisionit Endri Xhafo, ku ndër të tjera i thotë: “Pse s’më fton mua në studio, apo mendon se kam ikur nga LSI? Apo dëshiron të ftosh vetëm burra në studio?”.