Laçi mori 3 pikë me shumë vuajtje ndaj Vllaznisë në sfidën e javës së 19-të të Abissnet Superiores.
Në këtë ndeshje një nga lojtarët protagonistë ishte edhe portieri Mario Dajsinani i cili e ndihmoi skuadrën të dilte më 3 pikë nga kjo sfidë.
Pas ndeshjes gardiani i portës bardhezi është shprehur se sot lojtarët bënë maksimumin për të mposhtur shkodranët.
“Ndeshjen e përgatitëm mjaft mirë, punuam shumë gjatë javës duke e ditur që Vllaznia ka ekip të fortë. Bëmë maksimumin sot dhe dolëm me tre pikë, kjo është më e rëndësishmja.
Mungesa e Regit (Lushkja) mundet të ndikojë pak, por edhe çunat që e zëvendësuan bënë mjaft mirë sot, dhe nuk u ndje mirë mungesa e tij. Puna e gjithë javës jep frytet e veta në ndeshje.
Rikthimi në formën më të mirë? Si çdo lojtar që ka ulje-ngritjet e veta, shpresoj të ketë kaluar momenti i keq dhe ta ndihmoj shumë ekipin.
Tirana? Objektivi ynë i parë është të sigurojmë Europën sa më shpejt, por pse jo, ka ndeshje sa më shumë dhe gjashtë pikë janë pak”, deklaroi portieri i ekipit kurbinas. /f.a/abcnews.al