Heqja e karantinës 2-javore shton fluksin e automjeteve në Kakavijë

schedule13:51 - 6 Maj, 2021

schedule 13:51 - 6 Maj, 2021

Pas vendimit të një dite më parë nga Komiteti Teknik i Ekspertëve mbi heqjen e karantinës dy javore për qytetarët që hyjnë në Shqipëri nga Maqedonia e Veriut dhe Greqia, pranë pikës kufitare të Kakavijës në Gjirokastër është vënë re një lëvizje relativisht më e lartë.

Mësohet se gjatë 24 orëve të fundit nëpërmjet kësaj pike kufitare, numri i shtetasve të cilat kanë dalë apo hyrë në vendin tonë është rreth 1100 persona, ku përqindjen më të lartë e zënë ata që i drejtohen shtetit Helen.

Fluksi më i lartë i lëvizjes së qytetarëve shënohet gjatë orëve të para të mëngjesit, kohë në të cilën kryhet edhe itinerari i lëvizjes së linjave të autobusëve.

Aktualisht gjatë ditës së sotme pranë kësaj pike doganore, pala shqiptare ka punuar me 4 sportele ne dalje dhe 2 në hyrje, ndërsa nuk janë shënuar probleme apo vonesa në hartimin dhe kryerjen e procedurave të dokumentacionit të qytetarëve.

Prej gati dy javë pranë kësaj pike kufitare e cila është edhe më e madhja tokësore në jug të vendit lëvizja ka qenë pothuajse zero, kjo si pasojë e hyrjes në fuqi të vendimit i cili parashikoi 14 ditë karantinë për çdo shtetas që hynte në territorin e shtetit shqiptar.

Vendim ky që  u shoqërua jo vetëm me mosardhjen e emigrantëve për festën e Pashkës, por edhe penalizimin e tyre për të ushtruar të drejtën legjitime Kushtetuese për të qenë pjesë e zgjedhjeve të 25 prillit.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!