Heq tumorin përmes syrit, ndërhyrja e rrallë te një 60-vjeçar, u krye në neurokirurgjinë e QSUT

schedule13:24 - 19 Tetor, 2024

schedule 13:24 - 19 Tetor, 2024

Heqin tumorin në kokë përmes syrit.  Ndërhyrja e rrallë kirurgjikale u krye nga një grup mjekësh  kryesuar nga neurokirurgu Artur Xhumari në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë.

Për të mos prekur trurin mjekët shmangën  kirurgjinë e hapur dhe ndërhynë përmes endoskopisë, teknikë që po flitet pesë vitet e fundit.

“Zakonisht  ne hapim lëkurë, kockë, pastaj largojmë trurin dhe shkojmë gjejmë tumorin që është tumor i mirë,  mengeomë, dhe e heqim… Kjo metodë bën të mundur që përmes një rruge të re përmes syrit të mos kesh nevojë të largosh trurin për të gjetur tumorin, ai del direkt. Rrugë që po flitet në këto pesë vitet e fundit, përmes  endoskopisë e cila lejon të shkosh thellë, me dritën dhe kamerën”, ka thënë neurokirurgu Artur Xhumari.

Ndërhyrja kirurgjikale zgjati rreth pesë orë dhe pacienti një 60-vjeçar nga Fieri gëzon shëndet të plotë. Një operacion i tillë sipas mjekëve  ka disa avantazhe në raport me kirurgjinë e hapur.

“Rikuperim më i shpejtë, truri nuk ekspozohet ndaj dritës, ajrit. Zgjat më pak qëndrimi në spital, ulet risku që ka një ndërhyrje klasike, infeksion, dhimbje, hemorragji”, u shpreh ai.

Numri i operacioneve në shërbimin e neurokirurgjisë  vitet e fundit është rritur dhe kjo sipas mjekëve ka një arsye.

“Nëse më parë thonim  nuk e operojmë dot, se është një zonë qe nuk e operojmë dot, tani me një metode të  re mund të shkojmë  me te sigurt dhe ja propozojmë  pacientit”, shtoi ai.

Përmes kësaj teknike të veçantë në Qendrën Spitalore  Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë  janë operuar dy persona.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!