Mbrëmjen e djeshme në spitalin e Krujës janë paraqitur edhe 20 qytetarë të tjerë me shenja helmimi nga uji i pijshëm. Si duket fluksi ka rënë krahasuar me ditët e mëparshme. Burime për ABC bëjnë me dije se aktualisht deri më tani të shtruar në spital për shkak të helmimit janë vetëm 4 pacientë ndërsa pjesa tjetër pasi ka marrë mjekim është larguar.
Sakaq mbrëmë pas 5 ditësh ndërprerje, ka rinisur furnizimi me ujë të pijshëm në Krujë, por ka zgjatur vetëm një orë. Nëpër rubinetët e banesave uji është rikthyer në orën 20.00 dhe është ndërprerë në orën 21:00. Kjo ka sjellë indinjimin e qytetarëve, të cilëve nuk u ka dalë koha për të kryer të gjitha nevojat.
Kruja u përball e një helmim masiv gjatë ditëve të fundit dhe sipas analizave paraprake dyshohet se shkak është bërë kontaminimi i ujit të pijshëm me ujërat e zeza të një stani bagëtish që ndodhet shumë pranë depozitës së ujit, e cila furnizon qytetin. Banorët e zonës janë këshilluar që ende të mos e përdorin për të pirë ujin apo për të gatuar. Ky rregull duhet të ndiqet deri në një njoftim të dytë. Më herët gjatë së enjtes Instituti i Shëndetit Publik bëri të ditur rezultatin e analizave të kampionit të ujit të marrë nga Kruja që çoi në helmimin e qindra qytetarëve. ISHP ka dalë në përfundimin se uji kishte prani të bakterit “enterokok”. Kjo sipas tyre ka ardhur për shkak të reshjeve të dendura të shiut dhe përzierjes së ujërave.