Helmimi në Bulqizë , ISHP: Nuk janë gjetur ndotje në ujë

schedule14:35 - 7 Maj, 2019

schedule 14:35 - 7 Maj, 2019

Instituti i Shëndetit Publik ka reaguar me anë të një deklarate gjatë së martës në lidhje me analizat paraprake për ujin në Bulqizë.

Në deklaratë thuhet: “Në laboratorin e Institutit të Shëndetit Publik ka dalë rezultati i një prej analizave mikrobiologjike të ujit të pijshëm marrë në rrjetin e ujësjellës, që dyshohet të ketë shkaktuar disa simptoma në banorët e ‘Lagjes së Vjetër’ në Bulqizë. Përgjigja e mostrës së sjellë nga Shërbimi i Sëmundjeve Infektive të Bulqizës, në laboratorin e ISHP, ka dalë negative për ngarkesë mikrobiologjike, pra nuk ka ndotje mikrobiale në ujë”.

ISHP deklaron se për një përgjigje më të plotë për shkaktarin e simptomave tek qytetarët e Bulqizës duhet të presim rezultatet e tjera të analizave nga mostrat e marra nga grupi i ISHP në Bulqizë.

Sipas ISHP në zonën ku janë paraqitur rastet e personave me simptoma, janë marrë mostra uji në rrjetin ujësjellës dhe këto mostra janë në proces analizimi për parametrat mikrobiologjikë, fiziko-kimike dhe toksikologjike dhe analizat përfundimtare pritet të dalin në ditët në vijim./ABC News Albania 24/7