Ka shkuar në dy numri i viktimave si pasojë e helmimit në Deçan. Dy rastet i ka konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi. Nikçi ka deklaruar se prokurori ka urdhëruar që trupat e pajetë të dërgohen për autopsi në IML për të kuptuar me shumë lidhur me rrethanat e vdekjes se tyre.
“Gjatë 24 orëve të fundit, kanë ndodhur dy vdekje të dyshimta në komunën e Deçanit. Për shkak të situatës se krijuar në atë rajon, Prokurori kujdestar i Departamentit të Krimeve të Rënda, ka urdhëruar që trupat e pajetë të dërgohen për obdukim në IML për të kuptuar me shumë lidhur me rrethanat e vdekjes se tyre.”
Kujtojmë se të paktën 428 pacientë kanë kërkuar ndihmë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Deçan me simptoma të helmimit. Dyshimet zyrtare për shkakun e helmimit janë te një degë e furnizimit të ujësjellësit “Hidrodrini”.
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik (IKSHPK), ka bërë të ditur të hënën se nga gjashtë mostra të testuara të ujit, në dy prej tyre kanë gjetur koloni të dyshimta të baktereve. Megjithatë, sipas drejtorit të IKSHPK-së, Naser Ramadani, testimet duhet të vijojnë të bëhen ndërsa shkaku zyrtar i helmimit nuk është përcaktuar ende. /abcnews.al/