Helmimi i numëruesve, reagon Lëvizja Vetëvendosje

schedule17:15 - 13 Tetor, 2019

schedule 17:15 - 13 Tetor, 2019

Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit reagoi në rrjetet në lidhje me helmimin e 26 zyrtarëve në Kosovë, që numëronin votat e zgjedhjeve të 6 Tetorit. LVV i bën thirrje autoriteteve që të hetojnë shkaqet e helmimit të punonjësve të KQZ-së.

Vetëvendosje thotë se pakot me fletëvotime nuk kanë ardhur përmes postës ashtu siç e kërkon ligji, por janë sjellë në mënyrë të jashtëligjshme nga zyra ndërlidhëse e Serbisë.

“Këto fletëvotime të sjella kundërligjshëm duhet të refuzohen. Ndërsa shërbimi profesional i KQZ-së duhet ta vazhdojë punën në vlerësimin dhe numërimin e saktë të votave të ardhura nga mërgata. Pakot me fletëvotime të dërguara nga bashkatdhetarët, e të cilat janë verifikuar dhe vlerësuar, duhet të dërgohen në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve për t’u numëruar”, thuhet në reagimin e Lëvizjes Vetëvendosje.

Numëruesit kosovarë u shtruan në spital pasi shfaqën sindroma helmimi teksa hapnin votat e ardhura nga Serbia. Ata janë paraqitur në qendrën mjekësore të Prishtinës me temperaturë të lartë, si dhe kruarje e djegie.

Mbi rastin po punon Policia e Kosovës, e cila ka nisur një proces hetimor. Procesi i numërimit të votave të ardhura nga Serbia nisi mëngjesin e së dielës, por u ndërpre për shkak të problemeve të shfaqura nga numëruesit teksa hapnin kutitë.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!