“Helmi politik” që krijoi kërkimi i origjinës së COVID-19

schedule09:33 - 30 Prill, 2024

schedule 09:33 - 30 Prill, 2024

Kërkimi i origjinës së COVID-19 ka ndaluar në Kinë, viktimë e grindjeve politike, pas një sërë përpjekjesh të ngecura dhe të penguara për ta gjetur burimin e virusit, prej të cilit kanë vdekur miliona persona, dhe që ka paralizuar botën për muaj të tërë.

Qeveria kineze i ka bllokuar përpjekjet e brendshme dhe ato ndërkombëtare për ta gjurmuar virusin që nga javët e para të shpërthimit të pandemisë, pavarësisht deklaratave që e kanë mbështetur hetimin shkencor. Kjo vazhdon edhe në ditët e sotme, me laboratorët e mbyllur, me bashkëpunimet e shkatërruara, me shkencëtarët e huaj të detyruar të largohen dhe me hulumtuesit kinezë të ndaluar që të largohen nga vendi.

Një hulumtim nga agjencia e lajmeve “Associated Press” ka shfletuar mijëra faqe të emaileve dhe dokumenteve të pazbuluara dhe dhjetëra intervista që kanë treguar se ky bllokim ka filluar më herët sesa është menduar dhe që ka përfshirë grindje politike dhe shkencore në Kinë.

Më 6 janar të vitit 2020, zyrtarët e shëndetësisë në Pekin kanë mbyllur laboratorin e një shkencëtari i cili ka qenë duke studiuar virusin dhe ka ndaluar shkencëtarët që të punojnë me të.

Pyetja kryesore: A erdhi COVID-19 nga një kafshë apo nga një laborator

Pyetja kryesore është nëse virusi ka ardhur nga një kafshë ose nga një laborator. Një analizë amerikane e inteligjencës thotë se nuk ka mjaft prova për t’i vërtetuar këto teori, por debati ka njollosur shumë marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kinës.
Ndryshe nga SHBA-ja, në Kinë nuk ka debat publik nëse virusi ka ardhur nga natyra ose nga një laborator. Në fakt, ka pasur diskutime publike për burimin e sëmundjes, e cila së pari u detektua në qendër të qytetit Wuhan.

Përpjekjet kritike fillestare ishin penguar nga burokratët në Wuhan, të cilët janë përpjekur ta shmangin fajin duke e mashtruar kështu qeverinë qendrore, e cila i ka heshtur shkencëtarët kinezë dhe i ka nënshtruar zyrtarët e OBSH-së, madje dhe vetë Agjencinë e Shëndetit të OKB-së, e cila mund t’i ketë përdorur mundësitë e hershme për të mbledhur informacione të rëndësishme, me shpresën që kjo do ta qetësonte Kinën dhe kështu ajo t’u jepte qasje shkencëtarëve.

Në një deklaratë, ministri i Jashtëm i Kinës e ka mbrojtur mënyrën e trajtimit të hulumtimit rreth origjinës, duke thënë se vendi është i hapur dhe transparent, ka ndarë të dhëna dhe studime dhe “ka dhënë kontributin më të madh në hulumtimet botërore për origjinën e virusit”. Komisioni Kombëtar i Shëndetësisë, autoriteti kryesor mjekësor i Kinës, ka thënë se vendi “ka investuar fuqi të madhe punëtore, materiale dhe burime financiare” dhe “nuk ka ndaluar së kërkuari për origjinën e koronavirusit”.

Kjo mund të kishte rezultat tjetër, duke u bazuar në shpërthimin e SARS-it, i afërm gjenetikisht me COVID-19, gati 20 vjet më parë. Kina fillimisht i ka fshehur infektimet atëherë, por OBSH-ja është ankuar shpejt dhe publikisht ndaj kësaj.

Në fund, Pekini ka pushuar nga puna zyrtarë dhe ka bërë reforma. Agjencia e OKB-së shpejt ka gjetur se SARS-i ka ngjarë të ketë ardhur te njerëzit nga macet civet, lloj i gjitarëve në Azi dhe Afrikë, në jug të Kinës, dhe shkencëtarët ndërkombëtarë më vonë kanë bashkëpunuar me homologët kinezë për t’i identifikuar lakuriqët si rezervarë natyrorë të SARS-it.Por liderët e ndryshëm nga Kina dhe OBSH-ja, si dhe tensionet globale, të gjitha kanë çuar në heshtje sa i përket kërkimit të origjinës së COVID-19. Qeveritë në Azi janë duke iu bërë presion shkencëtarëve që të mos bëjnë kërkime rreth virusit nga frika se mund të gjurmohet brenda vendit të tyre.

Pa marrë parasysh këto komplikime, ekspertët thonë se është shumë sfidues identifikimi se si ka nisur shpërthimi i pandemisë dhe se është e rrallë të dihet me siguri se si disa viruse fillojnë të shpërndahen.

“Është shqetësuese se sa shpejt kërkimi për origjinën e COVID-19 është përshkallëzuar në politikë”, ka thënë Mark Woolhouse, ekspert i shpërthimeve të pandemive nga Universiteti i Edinburghut. “Tash kjo pyetje mund të mos gjejë përgjigje definitive”.

Fshehtësia

Fshehja ka nisur që nga fillimi i shpërthimit të pandemisë. Madje edhe të dhënat rreth kohës kur autoritetet kineze kanë filluar kërkimet për origjinën e virusit janë të paqarta.
Kërkimet e para të njohura publikisht për virusin datojnë më 31 dhjetor 2019, kur shkencëtarët e Qendrës kineze për Kontrollin e Sëmundjeve kanë vizituar tregun e Wuhanit, ku kanë filluar shumë nga rastet e para me COVID-19.

Megjithatë, zyrtarët e OBSH-së kanë dëgjuar për një inspektim më të hershëm të tregut, datuar më 25 dhjetor 2019, sipas një regjistrimi nga një takim konfidencial i OBSH-së, e dhënë nga një pjesëmarrës. Një hetim i tillë nuk është përmendur kurrë publikisht as nga autoritetet kineze dhe as nga OBSH-ja.

Në këtë regjistrim, eksperti i lartë i viruseve të kafshëve të OBSH-së, Peter Ben Embarek, e ka përmendur këtë datë, duke e përshkruar si “detaj interesant”. Ai u ka thënë kolegëve se zyrtarët ishin “duke shikuar se çfarë ishte duke u shitur në treg dhe nëse kishte tregti ilegale të kafshëve në treg”.
Një koleg i tij e ka pyetur Ben Embarekun nëse kjo i dukej e çuditshme. Ai është përgjigjur se “kjo nuk ishte rutinë” dhe se kinezët “duhet të kenë pasur arsye” për ta hetuar tregun. “Ne do të përpiqemi të zbulojmë se çfarë ka ndodhur dhe se pse kanë vepruar ashtu”.

Hetimi i 25 dhjetorit të vitit 2019 mund të ketë ardhur kur autoritetet e Wuhanit ishin të vetëdijshëm për sëmundjen misterioze. Një ditë më parë, një mjek vendor kishte dërguar një mostër të një shitësi të sëmurë të tregut, duke marrë kështu rezultatet që përmbanin COVID-19. Bisedimet për pneumoninë e panjohur ishin duke u shpërndarë në qarqet mjekësore të Wuhanit, sipas një mjeku që ka folur në mënyrë anonime.

Një shkencëtar në Kinë, kur ka shpërthyer pandemia, ka thënë se ka dëgjuar për një hetim të datës 25 dhjetor nga virologët e vendit.

OBSH-ja ka thënë në një email se nuk “ishte e vetëdijshme” për hetimin e 25 dhjetorit. Ai nuk përfshihet në raportin zyrtar të Agjencisë Shëndetësore të OKB-së për COVID-19.

Inspektimi i parë zyrtar i tregut të kafshëve në Wuhan

Kur zyrtarët e shëndetësisë nga Pekini kishin arritur në Wuhan më 31 dhjetor, ata kishin vendosur të dezinfektonin tregun para se të mblidhnin mostra, duke shkatërruar kështu informacione të rëndësishme për virusin. Gao Fu, kreu i Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), ia ka përmendur këtë një bashkëpunuesi amerikan.

“Ankesa e tij kur u takova me të ka qenë se të gjitha kafshët ishin larguar që aty”, ka thënë epidemiologu i Universitetit të Kolumbisë, Ian Lipkin.

Robert Garry, i cili i studion viruset në Universitetin Tulane, ka thënë se hetimi i 25 dhjetorit do të ishte “shumë i rëndësishëm”, sa i përket asaj që dihet për virusin dhe përhapjen e tij.

“Të jesh në gjendje ta marrësh mostrën nga vetë kafsha do të ishte mjaft bindëse dhe askush nuk do të ishte duke debatuar”, ka thënë ai, derisa ka folur për origjinën e COVID-19.

“Por ndoshta zyrtarët vendorë thjesht janë frikësuar për vendet e tyre të punës, nga rasti i vitit 2003”, ka thënë Ray Yipi, themelues i Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve të SHBA-së në Kinë.

“Ata po përpiqeshin ta ruanin veten, t’i fshihnin provat”, ka thënë Yipi.

Një viktimë tjetër ka qenë Zhang Yongzhen, shkencëtari i parë që ka publikuar një sekuencë të virusit. Një ditë më pas ai ka shkruar një memo duke iu bërë thirrje autoriteteve të vepronin. Nga kjo një zyrtar i lartë i shëndetësisë së Kinës e ka urdhëruar mbylljen e laboratorit të Zhangut.

“Ata kanë përdorur fuqinë e tyre zyrtare kundër meje dhe kolegëve të mi”, ka shkuar Zhangu në një email dërguar Edward Holmes, virolog australian.

Më 20 janar 2020, një delegacion i OBSH-së kishte arritur në Wuhan për një mision dyditor. Kina nuk e ka aprovuar vizitën në treg, por kanë shkuar në një laborator të CDC-së për ta ekzaminuar parandalimin e infektimit dhe procedurat e kontrollit, sipas një raporti të OBSH-së. Ish-përfaqësuesi i OBSH-së për Kinën, Guaden Galea, u ka thënë kolegëve në një mbledhje private që pyetjet rreth origjinës së COVID-19 nuk kanë pasur përgjigje.

Shumë kinezë ishin të nevrikosur me qeverinë e tyre. Në mesin e tyre edhe mjekët dhe shkencëtarët.
“Ka pasur disa kuadro që kanë performuar dobët”, ka thënë presidenti Xi Jinpingu në mënyrë të ashpër në shkurt të atij viti. “Disa nuk guxojnë ta marrin përgjegjësinë, presin urdhra dhe nuk lëvizin pa u shtyrë nga të tjerët”.

Qeveria ka nisur hetime ndaj zyrtarëve të lartë shëndetësorë, sipas dy anëtarëve të stafit të CDC-së dhe tre të tjerëve të njohur me rastin. Zyrtarët e shëndetësisë ishin të inkurajuar t’i raportonin kolegët që nuk ishin marrë siç duhet me shpërthimin e pandemisë te trupat disiplinorë të Partisë Komuniste, sipas dy prej tyre.

Disa njerëz brenda dhe jashtë Kinës kanë spekuluar një rrjedhje nga laboratori. Fokusi ishte kthyer te Instituti i Virologjisë së Wuhanit, laborator i nivelit të lartë, që eksperimentonte me disa nga viruset më të rrezikshme të botës.

Në fillim të shkurtit 2020, disa nga shkencëtarët e Perëndimit, të udhëhequr nga Jeremy Farrar, atëherë në “Wellcome Trust” të Britanisë dhe Anthony Fauci, ish-drejtor i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë së SHBA-së, janë bashkuar për ta vlerësuar origjinën e virusit përmes telefonatave dhe emaileve.

Ata kanë hartuar një dokument që sugjeronte evolucionin natyror, por edhe mes tyre, nuk kanë mundur të binin dakord për skenarin më të mundshëm. Disa janë alarmuar nga veçoritë e virusit, duke menduar se mund të ishte alternuar me strukturën e tij.

“Ka pasur sugjerime se virusi është ‘arratisur’ nga laboratori i Wuhanit”, ka thënë në një email Holmesi, i cili ka besuar se virusi ka origjinë nga natyra. “Unë kam punuar shumë në Kinë dhe mund t’ju them me siguri se shumë njerëz atje kanë besuar se nuk u është treguar e vërteta”.

Qeveria kineze ishte duke e mbajtur një hetim të fshehtë në Institutin e Wuhanit. Gao, kreu i CDC-së, dhe një tjetër ekspert i shëndetësisë kineze, e kanë zbuluar ekzistencën e tij në intervista disa muaj dhe vite më vonë. Të dy kanë thënë se hetimi nuk ka gjetur prova të alternimit, të cilat Holmesi gjithashtu i ka dëgjuar nga një kontakt i tij në Kinë. Por Gao ka thënë se as ai nuk i ka parë detajet e mëtejshme dhe disa ekspertë dyshojnë se ato nuk do të bëhen kurrë publike.

OBSH-ja kishte nisur negociatat me Kinën për një vizitë të dytë lidhur me origjinën e virusit, por Ministria e Jashtme e Kinës ka qenë ajo që i ka vendosur kushtet.

Mënjanimi i shkencëtareve, kontrolli nga politikanët

Shkencëtarët janë mënjanuar dhe politikanët e kanë marrë kontrollin. Kina ia ka refuzuar vizën Ben Embarekut. Dhe Gao, i cili është gjithashtu një shkencëtar i respektuar i ngarkuar me hetimin e origjinës së virusit, është lënë jashtë planit.

Në vend të kësaj, Liang Wanniani, politikan në Partinë Komuniste, ka marrë nën kontroll delegacionin ndërkombëtar. Liangu është epidemiolog i afërm me zyrtarët e lartë kinezë dhe me Ministrinë e Jashtme të Kinës, që njihet gjerësisht si shtytës i linjës së partisë, e jo i politikave të mbështetura në shkencë.

Liangu ka qenë ai që ka urdhëruar që tregu i Wuhanit të dezinfektohej para se të merreshin mostra, sipas intervistës së medias kineze me një zyrtar të lartë të CDC-së së Kinës, që ishte fshirë më vonë. Në vend të kësaj, ai ka promovuar një teori të pabesueshme se virusi ka ardhur nga ushqimet e ngrira të kontaminuara të importuara në Kinë.

Shumica e delegacionit të OBSH-së nuk ishte lejuar të shkonte në Wuhan, i cili ishte në izolim. Pak prej tyre që arritën të futeshin kanë mësuar pak. Ata përsëri nuk patën qasje në Institutin e Virologjisë së Wuhanit ose në tregun dhe kanë marrë detaje të pakta në lidhje me përpjekjet e CDC-së për ta gjurmuar koronavirusin atje.

Në tren, Liangu u ka bërë thirrje shkencëtarëve të OBSH-së për ta lavdëruar përgjigjen e shëndetësisë së Kinës në raportin e tyre publik.

“Është e jashtëzakonshme se sa shumë njohuri janë fituar për një virus të ri në një kohë kaq të shkurtër”, thuhej në raportin final.

Teksa kritikat ndaj Kinës janë rritur, Qeveria kineze është përpjekur ta largojë fajin. Në vend se t’i pushonte nga puna zyrtarët e shëndetësisë, ata e kanë deklaruar përgjigjen ndaj virusit si sukses dhe i kanë mbyllur hetimet mbi zyrtarët.

“Nuk ka pasur reforma të vërteta, sepse bërja e reformave nënkupton pranimin e fajit”, ka thënë një ekspert i shëndetit publik.

Në fund të shkurtit të vitit 2020, mjeku Zhong Nanshan ka thënë se “pandemia së pari është shfaqur në Kinë, por nuk do të thotë se e ka origjinën nga aty”.

Disa ditë më vonë, presidenti Xi ka urdhëruar kontrolle të reja rreth kërkimit të virusit. Ka pasur akuza nga një llogari në platformën WeChat që ka pretenduar se ushtria amerikane e kishte krijuar COVID-19 në një laborator në Fort Detrick dhe e kishte përhapur në Kinë gjatë një gare atletike në vitin 2019 në Wuhan. Disa ditë më vonë një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme kineze i kishte përsëritur akuzat.

Akuza e kundërakuza për origjinën mes Kinës e SHBA-së

Akuzat false e kanë zemëruar ish-presidentin e SHBA-së, Donald Trump, i cili nisi ta fajësojë publikisht Kinën për shpërthimin e pandemisë, duke e quajtur COVID-19 “virusi të Kinës” dhe “kung-flu”.
Zyrtarët kinezë i kanë thënë OBSH-së se rezultatet e testeve të gjakut të punonjësve të laboratorit në Institutin e Virologjisë në Wuhan ishin negative, duke sugjeruar se ata nuk ishin infektuar më herët me koronavirus. Por kur OBSH-ja ka kërkuar testime të pavarura, zyrtarët kinezë kanë kundërshtuar dhe kanë kërkuar që të hetoheshin edhe SHBA-ja dhe vendet e tjera.

Duke fajësuar SHBA-në, Pekini e ka larguar fajin. Ishte efektive në Kinë, ku shumë kinezë ishin të mërzitur nga kritikat e ngarkuara me racizëm. Por jashtë Kinës, kjo ka nxitur spekulime për mbulimin e hipotezës se virusi ka rrjedhur nga laboratori.

Deri në kohën kur OBSH-ja bëri vizitën e tretë në Wuhan në janar të vitit 2021, atmosfera ishte toksike.

Liangu ka vazhduar ta promovojë teorinë e diskutueshme se virusi kishte arritur në Kinë nga ushqimi i ngrirë. Ai e ka mbuluar informacionin që sugjeronte se ka pasur mundësi që virusi të ketë ardhur nga kafshët e tregut në Wuhan, duke i organizuar punonjësit e tregut t’u thonë ekspertëve të OBSH-së se asnjë kafshë nuk ishte shitur dhe duke zhdukur fotot e kafshëve të tregut nga raporti final. Ka pasur hetim politik, ku shumica e zyrtarëve kinezë nëpër takime nuk kanë qenë shkencëtarë ose zyrtarë të shëndetësisë.

Pavarësisht mungesës së qasjes së drejtpërdrejtë, ekipi i OBSH-së ka arritur në përfundimin se rrjedhja nga laboratori ishte “jashtëzakonisht e pamundur”. Kështu që zyrtarët kinezë janë habitur kur, disa muaj më vonë, shefi i OKB-së, Tedros Adhanom Ghebreyesusi, ka thënë se origjina e të gjitha hipotezave për origjinën e virusit, duke përfshirë edhe rrjedhjen nga laboratori, mbeteshin në dispozicion.

Kina i ka thënë OBSH-së se misionet e ardhshme për ta gjetur origjinën e virusit duhet të bëhen në vende të tjera, sipas një letre. Që nga atëherë, bashkëpunimi botëror rreth kësaj çështjeje është ndalur; një grup i pavarur i mbledhur nga OBSH-ja për ta hetuar origjinën e COVID-19 në vitin 2021, është bllokuar nga mungesa e bashkëpunimit me Kinën.

“Tani rruga për ta gjetur burimin e virusit është zhdukur”

Shkencëtarët kinezë janë akoma nën presion, sipas 10 shkencëtarëve dhe zyrtarëve të shëndetit. Shkencëtarët që kanë botuar publikime për koronavirusin kanë hasur në probleme me autoritetet kineze. Të tjerëve u është ndaluar udhëtimi jashtë vendit për konferenca dhe takime të OBSH-së. Gao ishte hetuar pasi presidenti i SHBA-së, Joe Biden, kishte urdhëruar për rishikim të të dhënave të COVID-19 dhe përsëri pasi kishte dhënë intervista rreth origjinës së virusit.

Provat e reja trajtohen me dyshim. Në mars të vitit 2023, shkencëtarët kanë shpallur se materiali gjenetik i mbledhur nga tregu ka gjetur ADN-në e qenit rakun, gjitar i gjetur në Azi, të përzier me COVID-19 në fillim të vitit 2020, e dhënë kjo që OBSH-ja ka thënë se është dashur të publikohej vite më parë. Gjetjet ishin postuar dhe pastaj ishin fshirë nga shkencëtarët kinezë pa shpjegim.
“Kjo ka të bëjë me origjinën, prandaj ata janë akoma të shqetësuar”, ka thënë një ish-zyrtar. “Nëse arrin në fund të kësaj çështjeje, çfarë nëse kishte origjinë nga Kina?”.

Shkencëtarë të tjerë theksojnë se çdo kafshë nga e cila fillimisht mund të ketë ardhur virusi është zhdukur prej kohësh.

“Kina kishte shans të bashkëpunonte me OBSH-në dhe të bënte disa studime të mostrave të kafshëve që mund t’i përgjigjeshin pyetjes”, ka thënë Garry. “Tani rruga për ta gjetur burimin e virusit është zhdukur”.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!