Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri ka folur të hënën rreth mundësisë së bashkëpunimit me Vjosa Osmanin, në nismën e saj të re politike.
Haziri u shpreh se nuk sheh ndonjë mundësi bashkëpunimi me Vjosa Osmanin jashtë LDK-së.
“Bashkëpunimin pa LDK-në nuk e shoh si reale. Të them të drejtën nuk e shoh veten pa LDK-në. Është e vështirë. Nuk pres që Osmani të largohet përfundimisht nga LDK. Ajo ka arritur ideologjinë e saj dhe tanimë është pjekur politikisht. Kur arrin këtë lloj pjekurie nuk është e lehtë të ndërrosh ideologjinë”, tha ai, në Kanal10.
Po ashtu, nënkryetari i LDK u shpreh se do të ishte i lumtur që Osmani të vazhdonte karrierën në familjen e saj politike, në LDK.
Ai shtoi se votimi për shkarkimin e Osmanit është bërë përmes postës elektronike dhe se personalisht ka votuar kundër. /abcnews.al/