Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, në prag të zgjedhjeve të 14 shkurtit, është shprehur se LDK-në e pret përpara një fushatë e vështirë elektorale.
“Çdo proces zgjedhor ka vështirësitë e veta, sfidat dhe problemet që sjell procesi zgjedhor në përgjithësi, por ajo që është vështirësi për LDK-në është të qenit në qeverisje. Pas rezultatit të 6 tetorit pas bashkëqeverisjes me Vetëvendosjen, që zgjati 50 ditë ne ndërtuam qeverisjen e pakicës me shumë probleme dhe sfida në politikë”, tha Haziri.
Shumë e kanë kritikuar këtë lëvizje të LDK-së si të pamoralshme, por Haziri nuk e mendon kështu.
“Ne nuk kishim alternativë tjetër dhe qeverisja e zotit Hoti është ndërtuar si opsion i vetëm meqenëse ne si forcë e dytë e dalë nga zgjedhjet duhet të ndërtonim qeverinë”, thotë Haziri.
Haziri foli edhe për largimin e Vjosa Osmanit nga LDK-ja, duke thënë se është humbje e madhe për të dhe jo për partinë.
“Do dëmtohet vetë zonja Osmani në kontekstin e gjatë politik dhe jo LDK-ja, se ajo do vazhdojë të jetë në politikë.” /abcnews.al/