Eden Hazard pësoi dëmtimin e radhës te Real Madrid. Fantazisti belg po vuan në Spanjë, teksa lëndimet muskulore nuk po i shqiten. Ndeshja e së shtunës kundër Alaves, zgjati vetëm 28 minuta për Eden Hazard. Problemet në kofshën e djathtë do e mbajnë disa kohë larg fushave të blerta.
Rreth situatës së vështirë të 29-vjeçarit ka folur Kris Van Crombrugge, mjeku i kombëtares së Belgjikës. Ky i fundit e njeh shumë mirë lojtarin ofensiv dhe shpjegon se pse po i ndodhin kaq shumë dëmtime.
“Mendoj se i ka kaluar limitet e tij fizike, po e sforcon shumë trupin e tij. E di që në Madrid presin shumë prej tij, Eden të jep përshtypjen se nuk ndikohet nga presioni, por stresi bën të veten.
Askush nuk i shpëton dot stresit, i cili ndikon negativisht te muskujt. Muskujt e tij janë zgjeruar për momentin, dhe kjo shton mundësinë e dëmtimeve“, deklaron Van Crombrugge. /abcnews.al