Laçi do të sfidojë Anderlecht në raundin e tretë të Conference League. Bardhezinjtë presin skuadrën belge në “Elbasan Arena” të enjten e 5 gushtit (19:00), ndërsa një javë më vonë luhet ndeshja e kthimit në Bruksel.
Kush më mirë se Besnik Hasi mund të fliste për këtë përballje? Ish-kapiteni i kombëtares shqiptare, ka luajtur si futbollit dhe ka drejtuar si trajner skuadrën e njohur belge. Tre tituj fitoi si mesfushor me Anderlecht dhe një si trajner (2014).
49-vjeçari nga Gjakova, i cili u emërua trajner i Al-Ahli Jeddah muajin e kaluar, ka folur rreth dueleve Laçi-Anderlecht për Panorama Sport.
ANDERLECHT – “Edhe pse jam shkëputur prej kohësh, kam shumë kontakte tek Anderlecht, pasi është klubi im, thënë ndryshe shtëpia ime. Kështu që i di të gjitha rrethanat e këtij ekipi si nga brenda dhe jashtë.
Anderlehti po kalon disa momente të vështira në 2-3 vitet e fundit, sepse kanë pasur probleme financiare. Janë ndryshuar disa gjëra dhe ka ardhur një legjendë e klubit, Vincent Kompany, një personalitet i futbollit belg dhe botëror që ka një vizion shumë pozitiv.
https://streamable.com/i6nxst
Kuptohet që atij i duhet pak kohë. Klubet e tjera në Belgjikë po paguajnë shuma marramendëse për përforcimet, ndërsa Anderlecht kërkon që t’i gjejë ata te puna me të rinjtë. Skuadra nuk është ende stabël dhe ka oshilacione në rezultate. Gjithsesi, janë në rrugën e duhur, pasi është futur një frymë e re në klub dhe përfundimi gjithsesi do të jetë i mirë”.
DUELI – “Favorit do të jetë Anderlecht, pa marrë parasysh se me çfarë përbërjeje do ta nisë përballjen. E them këtë pasi kanë kualitet shumë të mirë, kanë marrë disa lojtarë që janë me përvojë. Por, thelbi i atij ekipi do të jetë shkolla e futbollit të Anderlecht, ndaj janë favoritë. Por, Laçi në dy turet kualifikuese merr atë respektin e duhur nga Anderlecht”.
KUALIFIKIMI – “Nëse Anderlecht luan në nivelin e tyre nuk ka shanse, ndërsa në realitet jo. Por, futbolli i sotëm është shumë i rrezikshëm, pasi edhe Anderlecht nuk e ka formën e mirë gjë të cilën e tregon edhe fillimi i kampionatit. Kanë lojtarë që mungojnë, që nuk kanë ardhur akoma, ndërsa Laçi ka luajtur 4 ndeshje me peshë deri tani. Pashë që grumbullohen mirë, dinë të kundërsulmojnë dhe të rrezikojnë. Nëse Anderlehti nuk luan mbi nivelin e tyre, po e përsëris që nuk do të ketë shanse ndaj Laçit”.
LAÇI – “Duhet të marrë maksimumin nga kjo eksperiencë. Nuk mund të flas tani nga ana teknike, pasi nuk e njoh aq mirë ekipin dhe rrethanat si do të jenë. Anderlecht e njoh shumë mirë, ndërsa Laçin jo aq mirë. Lojtarët duhet ta marrin përvojën nga kjo përballje dhe kjo do të jetë shumë mirë për ata. Anderlecht është klub shumë i madh, luan futboll të mirë dhe ofensiv dhe gjithçka është pozitive për të marrë maksimumin ndaj tyre”. /abcnews.al