Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, i cili ndodhet në një vizitë zyrtare në Vienë, u prit sot nga Sekretarja e Përgjithshme e OSBE, Helga Schmidt.
Ministri Hasani vlerësoi angazhimin e OSBE në mbështetje të angazhimit rajonal, teksa ritheksoi mbështetjen e Shqipërisë për punën e kësaj organizate në promovimin e paqes dhe sigurisë.
Më herët gjatë ditës, kryediplomati shqiptar u takua me Drejtoren Ekzekutive të Zyrës së OKB për Drogën dhe Krimin (UNODC), Ghada Waly si dhe me Sekretarin Ekzekutiv të Organizatës së Traktatit Gjithëpërfshirës të Ndalimit të Testeve Bërthamore (CTBTO), Robert Floyd.
Ministri Hasani vlerësoi rolin e Ghada Waly dhe UNODC në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, teksa shprehu gatishmërinë e palës shqiptare për t’u përfshirë në Programin Rajonal.
Në takimin me Robert Floyd, Ministri Hasani theksoi mbështetjen e palëkundur të Shqipërisë për axhendën e çarmatimit, teksa nënvizoi mbështetjen e palës shqiptare, për të punuar ngushtë me CTBTO, për të siguruar respektimin universal dhe zbatimin e plotë të traktateve të mospërhapjes.
Në ditën e dytë në qëndrimit në Vjenë, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme do të ketë takime me homologun austriak, Alexander Schallenberg dhe përfaqësues të lartë të parlamentit.