Hasani pret homologun hungarez: Do të intensifikojmë bashkëpunimin dypalësh

schedule16:51 - 11 Shtator, 2024

schedule 16:51 - 11 Shtator, 2024

Ministri i Jashtëm Igli Hasani zhvilloi këtë të mërkurë një takim dypalësh me homologun hungarez Peter Szijjarto.

Në një deklaratë të përbashkët për mediat Hasani theksoi se Hungaria ka dhënë kontribut të vyer për zgjerimin dhe thellimin e prekshëm të marrëdhënieve me Shqipërinë.

Gjithashtu Hasani uroi homologun e tij për marrjen e kryesisë së Presidencës së radhës së BE nga Hungaria.

Fjala e plotë e ministrit Hasani:

I dashur Péter,

Më lejoni t’ju falënderoj për praninë Tuaj sot në Tiranë. Vizita juaj vjen në më pak se 6 muaj pas vizitës time në Budapest dhe për mendimin tim, kjo është një shprehje domethënëse e raporteve midis dy vendeve. Në këtë pikë, dëshiroj të theksoj kontributin vërtet të vyer të ministrit Szijjarto për zgjerimin dhe thellimin e prekshëm të marrëdhënieve tona përgjatë këtyre viteve të fundit.

Përfitova nga rasti ta uroj edhe një herë kolegun tim për marrjen e kryesisë së BE-së për gjashtëmujorin e këtij viti; punë të mbarë e suksese në realizimin e objektivave që kryesia hungareze e radhës ka përcaktuar si prioritete të vetat.

Sot patëm mundësinë të shkëmbejmë mendime për bashkëpunimin tonë në çdo fushë, duke u shtrirë nga politika në ekonomi, integrimi evropian, bashkëpunimi në organizatat ndërkombëtare dhe në shumë aspekte të tjera.

Vlerësuam faktin që bashkëpunimi politik mbetet në nivele të larta, i shprehur jo vetëm përmes dialogut të vazhdueshëm, por edhe i konkretizuar me vizitat e kryera. Vitin e kaluar, në qershor, patëm nderin të presim kryeministrin Orbán si dhe ish-presidenten Novak, ndërkohë që gjatë muajit të ardhshëm, në tetor, do të zhvillohet vizita e kryeministrit Edi Rama në Budapest. Besoj se kjo tablo flet qartë për stadin aktual të marrëdhënieve dypalëshe.

Ky bashkëpunim i shkëlqyer politik tashmë është përkthyer në një bashkëpunim ekonomik gjithnjë e më të frytshëm. Një dëshmi e qartë e intensifikimit të marrëdhënieve ekonomike ishte nënshkrimi, i para pak minutash, i Memorandumit të Mirëkuptimit mes Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA) dhe Agjencisë Hungareze të Promovimit të Eksportit (HEPA). Aktualisht Hungaria është e pranishme në tregun shqiptar si kurrë më parë. Mjafton të përmend disa emra kompanish hungareze si OTP, WizzAir, 4iG etj, të cilat kanë gjetur një terren të volitshëm për aktivitetin e tyre. Dëshira dhe urimi im shkon edhe për kompanitë shqiptare që kanë shprehur ambicien për të operuar në tregun hungarez, ta kryejnë k, ta kryejnë këtë realizim të tyren. Duke nisur nga kjo ecuri e mbarë, jemi të mendimit dhe inkurajojmë mbajtjen e sesionit të ardhshëm të Komisionit të Përbashkët Ekonomik, i cili mund të trajtojë dhe eksplorojë mundësi të reja bashkëpunimi në fusha me interes të ndërsjellë. Ndër temat qendrore të diskutimit me Ministrin dhe mikun tim Szijjarto ishte integrimi i Shqipërisë në BE.

Ne i jemi shumë mirënjohës Hungarisë dhe Ministrit Szijjártó personalisht për mbështetjen e tyre. Hungaria ka qenë dhe mbetet vazhdimisht një avokate aktive e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE, duke e konsideruar zgjerimin e BE-së në këtë pjesë të Europës Juglindore një objektiv strategjik të politikës së saj të jashtme. Fakti që Presidenca aktuale hungareze e Këshillit të Bashkimit Evropian e ka bërë integrimin e Ballkanit Perëndimor një nga prioritetet e saj thelbësore, është treguesi më i qartë i këtij angazhimi.

Do të dëshironim që këtë vizion strategjik lidhur me rajonin dhe peshën gjeopolitike që është krijuar në kushtet komplekse që po kalon kontinenti ynë, ta bënin të tyren edhe disa prej vende të tjera anëtare të BE-së. Vetëm kësisoj afrimi i vendeve tona me Unionin do të fitonte ritmin e duhur dhe do të përparonte pa pengesa shpesh të panevojshme.

Në fokusin tonë natyrshëm zunë vend edhe situatat e fundit në Ballkanin Perëndimor dhe zhvillimet në rajon. Dialogu, bashkëpunimi ekonomik, tregtar, arsimor e kulturor ndikojnë në pasjen e një rajoni në paqe dhe të orientuar nga mirëkuptimi dhe begatia për qytetarët e vendeve tona.

Një tjetër aspekt i rëndësishëm i bisedimeve tona ishte bashkëpunimi shumëpalësh. Me kënaqësi konstatuam rritjen e ndërveprimit dhe konvergimin në mjaft pika e qëndrime në çështje ndërkombëtare, ndër to edhe mbështetja e kandidaturave të ndërsjella nga të dy vendet.

Dëshiroj ta mbyll duke e siguruar mikun dhe kolegun e çmuar se, ashtu si deri më sot, jemi të angazhuar dhe do të bëjmë gjithçka për intensifikimin e bashkëpunimit në të mirë të dy vendeve e popujve tanë. Faleminderit Peter që je këtu.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!