Juan de Dios Crespo Peres është avokati që Partizani ka pajtuar për të zgjidhur çështjen “Çinari”. Klubi i kuq, në verë u dënua nga FIFA me bllokimin e merkatos për tre sezone, pasi kishte firmosur me lojtarin shkodran ndërkohë që ai kishte hedhur të zezën mbi të bardhë edhe me kroatët e NK Istra.
Këta të fundit e çuan çështje në gjyq dhe FIFA dënoi me katër muaj pezullim lojtarin, si dhe me 83 mijë euro gjobë. Kjo shifër duhet të paguhet nga Eraldo Çinari, por përgjegjës është edhe klubi i Partizanit për shlyerjen e asaj shifre. Dënimi i FIFA nuk është pranuar nga klubi kryeqytetas, që kishte apeluar në CAS dhe dje është mbrojtur nga avokati spanjoll Juan de Dios Crespo Peres.
Ky i fundit është një emër i njohur në fushën e avokatisë dhe ka fituar edhe çështje të tjera në FIFA, mes tyre edhe një të Lionel Messit në vitin 2017. Pas ndeshjes me Kilin, argjentinasi u pezullua me katër ndeshje nga qeveria e futbollit botëror, me pretendimin se sulmuesi kishte ofenduar arbitrat.
Vetë lojtari pat deklaruar se ofendimi nuk kishte qenë për askënd, thjesht kishte thënë diçka pa iu drejtuar arbitrave apo ndonjë personi tjetër. Peres e përfaqësoi në gjyq yllin e Barcelonës dhe dënimi ra poshtë ën Komisionin e Apelit në FIFA.
Avokati spanjoll ka goxha eksperiencë, teksa ka qenë si palë mbrojtëse në shumë çështje në CAS, si “Ortega”, “Mexes”, “Webster”, “Bueno-Rodríguez” , “Matuzalem”, “Pizarro”, “De Sanctis” ,dhe “Al-Masry”. Perez ka qenë avokat ose këshilltar ligjor edhe për klube të mëdha si Real Madrid e Atletico Madrid, shumë klubeve të tjera në Spanjë dhe jashtë saj, duke veçuar, Roma, River Plate dhe PSG.
Juan de Dios Crespo Peres gjithashtu ka qenë avokat, ose ka përgatitur kontratat, në transferimet e emrave të mëdhenj si Zinedine Zidane, Sergio Aguero, Fernando Morientes dhe shumë të tjerë. Gjithashtu ai është zgjedhur nga UEGA dhe Bashkimi Europian (BE) në grupin e katër juristëve që mund të këshillojnë mbi Ligjin e Sportit. Në Spanjë ai konsiderohet avokati më i mirë në fushën e sportit dhe i 13-ti në të gjitha disiplina. /abcnews.al