13 gjykata të shkallës së parë, 2 gjykatë administrative dhe 1 gjykata apeli për të gjithë vendin. Ky është propozimi i Këshillit të Lartë Gjyqësor për hartën e re gjyqësore në vend pas muajsh konsultimesh me grupet e interesit, i cili ka krijuar debate në shoqërinë civile.
Në lidhje me këtë Dhoma e Avokatisë së Korçës ka vendosur vazhdimin e bojkotit të seancave gjyqësore edhe për këtë javë, për të kërkuar ndryshimin e hartës së re gjyqësore.
Kreu i Dhomës së Avokatisë Arben Lena tha se avokatët nuk do të marrin pjesë në seancat gjyqësore të proceseve penale, civile, administrative si dhe të gjitha llojet e veprimeve hetimore përgjatë kësaj jave.
Lexo edhe: Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve: Harta e re do t’i përgjigjet më së miri nevojave të qytetarëve
Nga bojkoti përjashtohen vetëm masat e sigurisë, për të cilat Dhoma e Avokatisë do të diskutojë dhe marrë një vendim në ditët në vazhdim.
Në të 3 gjykatat e Korçës, Gjykata e Shkallës së Parë, Apeli dhe Gjykata Administrative çdo ditë zhvillohen nga 50 deri në 60 seanca gjyqësore./abcnews.al/