Në ditën e dytë të bojkotit të seancave gjyqësore, kreu I avokatëve penalistë Sajmir Vishaj ka kërkuar ndërhyrjen e Ministrisë së Drejtësisë për të zgjidhur situatën.
Ai mbështetet bojkotin e nisur nga avokatët që i kërkojnë KLGJ rishikim të hartës gjyqësore, por tha se gjendja është alarmante dhe masat e sigurisë duhet të zhvillohen patjetër.
Në gjykatën penale edhe ditën e premte janë zhvilluar 10 masa sigurisë pasi në sallë janë paraqitur avokatët duke thyer bojkotin.
Edhe pse vendimi i dhomës kombëtare të avokatisë, parashikonte që avokatët të mos frekuentonin masat për të paktën 10 ditë, duket se ky vendim nuk është respektuar nga të gjithë dhe ka krijuar përçarje mes avokatëve.
Dhoma paralajmëroi masa disiplinore për ata që thyejnë bojkotin deri në heqjen e licencës.
Kryeministri Edi Rama në një konefrencë për mediat ka deklaruar se harta gjyqësore nuk do të ndryshojë, ndërsa u shpreh kundër bojkoti të nisë nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë.
Nga ana tjetër kreu i dhomës kombëtarë të avokatisë Maksim Haxhia deklaroi për ABC, se nuk kanë asnjë kërkesë për qeverinë, por bojkoti është për Këshillin e Lartë Gjyqësor.
Sipas Haxhisë, KLGJ vendos për hartën gjyqësore, ndërsa këshilli i ministrave ka për detyrë ndërtimin e godinave dhe futurën financiare./abcnews.al/