Liverpool po “fluturon” këtë sezon dhe po vendos rekorde fantastike në Premier League. Objektivi i madh është rikthimi te titulli kampion. E vështirë ta besosh që trofeu i madh mungon në “Anfield” nga viti i largët 1990, por ky sezon është i duhuri.
Ekipi i Jurgen Klopp regjistron vetëm një barazim në 21 javët e para, nuk humbet prej më një viti dhe ka një diferencë prej 14 pikësh me Manchester Cityn e vendit të dytë, teksa ka për të luajtur edhe një ndeshje më shumë.
Atmosfera në ekip dhe te tifozët është fantastike, por Andrew Robertson bën thirrje për kujdes. Në një prononcim për sajtin zyrtar të “The Reds”, mbrojtësi i majtë bën thirrje për kujdes dhe tenton të mbajë të përqendruar shokët e skuadrës.
“Rekordet që po vendosim janë të parëndësishëm për ne. E vërtetë, po thyejmë disa prej tyre, por nuk vlejnë aspak nëse nuk arrijmë të fitojmë trofe në fund të sezonit. Edhe sezonin e kaluar kryesuam gjatë kampionatin, por e dimë të gjithë se si përfundoi.
E përsëris, rekordet nuk kanë asnjë vlerë pa fitimin e trofeve. Kampionati anglez është shumë i vështirë, çdo ndeshje është e tillë. Sa më shumë fiton, aq më shumë shtohet dëshira e rivalëve për të të mposhtur. Nuk duam të marrim asgjë si të mirëqenë. Le të festojmë në maj nëse ia kemi dalë mbanë“, përfundon 25-vjeçari skocez. /abcnews.al