“Harrojeni Napolin e Sarrit, kam një ide të qartë për Bernardeschin”

schedule16:53 - 20 Shtator, 2019

schedule 16:53 - 20 Shtator, 2019

Juventusi pret Veronën nesër në orën 18:00 dhe djemtë e Sarrit do të tentojnë rikthimin te fitorja pas dy barazimeve kundër Fiorentinës në kampionat dhe Atletico Madrid në Champions League.

Trajneri i bardhezinjve pritet të bëjë ndryshime në formacion. Rotacionin nuk e preferon pothuajse kurrë, por kontingjenti i madh i lojtarëve cilësorë në organikë e lejon ta bëjë diçka të tillë te “zonja e vjetër”.

Sarri komenton edhe stilin e tij të futbollit dhe ndalet te situata e Paulo Dybala, Federico Bernardeschi dhe dyshes Ramsey-Rabiot.

RROTACIONI – “Të shohim situatën, sepse duhet ta përgatisim ndeshjen me vetëm 1 seancë stërvitore. Nuk e kam marrë akoma vendimin për titullarët që do të zbresin në fushë. Në Itali jemi të fiksuar pas rotacionit. Në Angli është ndryshe dhe të gjitha ekipet e përballojnë sezonin me 14 futbollistë. Skuadra duhet të gjejë një organizim, duke i dhënë përparësi pozicionimeve në fushën e blertë.”

STILI – “Ky është Juventusi i Sarrit me karakteristikat e lojtarëve të Juves. Jam i lumtur me kontingjentin që kam në dispozicion. Do të tentojmë të zhvillojmë një futboll që ka brenda edhe ndonjë ide timen, por pa dalë kundër karakteristikave të lojtarëve tanë. Mund të ndodhë që të mos e shohim kurrë këtu Napolin e Sarrit.”

DYBALA – “Paulo mbërriti në fund të gushtit dhe nuk është në formën më të mirë. Gjithsesi, është në gjendje të luajë dhe të na japë një dorë.”

BERNARDESCHI – “Në të ardhmen do të jetë më shumë mesfushor sesa sulmues krahu. Do përpiqemi ta rrisim dhe ta bëjmë deçiziv për ndeshjet e rëndësishme. Cilësitë nuk i mungojnë dhe kjo duhet të jetë detyra e tij, e imja dhe e klubit.”

RAMSEY-RABIOT – “Aron po përmirësohet dhe ka hedhur hapa cilësorë. Po ‘ringjallet’ edhe Rabiot. Të dy do të kenë hapësira në ndeshjet e ardhshme. Nuk është aspak e thjeshtë, edhe për shkak të Matuidit, i cili lexon mirë situatat gjatë lojës dhe është përmirësuar shumë. Po flasim për dy lojtarë që vijnë nga kampionate të ndryshme dhe që nuk kanë mësuar ende gjuhën. Mos harroni që edhe Platinisë iu deshën muaj për t’u përshtatur në Itali.” /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!