Haradinaj: Nuk do të ketë marrëveshje me Serbinë për ndryshim kufijsh

schedule12:11 - 20 Shtator, 2018

schedule 12:11 - 20 Shtator, 2018

Gjatë intervistës së tij në emisionin “Opinion” në televizionin Klan, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, theksoi dhe njëherë se nuk do të ketë asnjë marrëveshje me Serbinë për ndryshim kufijsh.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në intervistën e tij në emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu, deklaroi se nuk do pranohet një marrëveshje me Serbinë për korrigjim të kufijve.

Haradinaj tha se nuk e konsideron një projekt serioz.

Ramush Haradinaj: “Të gjitha këto që kanë ndodhur nuk më lejojnë të mendoj se presidenti Thaçi e ka menduar si një projekt serioz. Unë mendoj se është një taktikë politike e tij, por nuk e konsideroj si një projekt serioz”.

Haradinaj përsëriti se është dhe do të jetë kundër një marrëveshjeje të tillë me Beogradin

Blendi Fevziu: “Vuçiç në fjalimin e tij në Mitrovicë, më krijoi idenë sikur paralajmëron një marrëveshje me Kosovën”.

Ramush Haradinaj: “Ne i respektojmë vlerat e serbëve të Kosovës, gjuhën , besimin, pra të gjitha të drejtat. Përkundër të kaluarës tonë tragjike. Edhe një zgjidhje me Serbinë është e mirëpritur nga ana jonë, por ne nuk do shkojmë tek zgjidhja deri tek korrigjimet në territor. Ne nuk e hapim të kaluarën tonë. Nuk ka kthim pas edhe vendet që nuk na njohin, vitin që vjen, këto vende do të na njohin. Ne do të luftojmë për t’u bërë anëtare e NATO-s. Kufiri nuk do ndryshojë. Ne nuk do të lejojmë të preken kufijtë tanë”.

Kohët e fundit kreu i ekzekutivit kosovar ka kundërshtuar shpesh herë publikisht idenë e presidenti Thaçi për korrigjim kufijsh, madje duke paralajmëruar dhe një luftë të mundshme nëse kjo ide bëhet realitet./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!