Ish-kryetari i Aleancës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se Ligji për Dhomat e Specializuara është çështje që, sipas tij, u takon të gjithëve dhe nuk duhet të ndërlidhet me çështje të tjera politike.
Haradinaj, në një konferencë për media, ka thënë se vendimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës përbën, sipas tij, një ofendim për Kosovën, popullin dhe luftën çlirimtare.
“Ky ligj është i të gjithëve. Janë dy ofendime që po ndodhin radhazi, i pari është vendimi dënues për udhëheqësit e UÇK-së, është ofendim për Kosovë, për popullin e Kosovës, për luftën tonë të drejtë. Poashtu është ofendim për çdo shqiptar të vërtetë, për çdo patriot, këtë ligj me ndërlidhë me çkado qoftë tjetër”, u shpreh ai.
Ai ka kritikuar ndërlidhjen e Ligjit për UÇK-në me çështje të tjera politike, duke thënë se edhe kjo është “tepër ofenduese”.
“Njerëzit kur e kanë dhënë jetën, nuk e kanë ndërlidhur me diçka tjetër, njerëzit që po vuajnë në burgje atje, nuk e kanë ndërlidhur jetën e vet me asgjë tjetër, është tepër ofenduese të bëhen lojëra, të bëhen pazare, kurthe e me u mundu me zën njëri-tjetrin në faj me Ligjin për UÇK-në”.
“Ky ligj është për UÇK-në, nuk po bëhet as vetëm për ata katër që janë atje, por po bëhet për të vertetën tonë historike, për luftën tonë të shenjtë”, deklaroi Haradinaj.


