Haradinaj, letër liderëve perëndimore: Taksa 100 për qind, detyrim

schedule22:52 - 4 Dhjetor, 2018

schedule 22:52 - 4 Dhjetor, 2018

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj u ka dërguar të martën një letër kancelarive perëndimore, ku sqaron se vendosja e taksës 100 për qind ka qenë një detyrim i imponuar nga shkeljet e vazhdueshme që Serbia dhe Bosnja i kanë bërë marrëveshjes së CEFTA-s.

Ndërsa ka theksuar se nga ana e saj Prishtina i ka respektuar të gjitha detyrimet, Haradinaj ka akuzuar Serbinë dhe Bosnjen se me veprimet e tyre kanë dëmtuar rendin kushtetues të Kosovës, duke cënuar sigurinë e saj.

“Ndërsa Kosova respektonte detyrimet që rrjedhin nga marrëveshja, këto shtete kanë kryer veprime që ndërhyjnë në rendin e brendshëm kushtetues, duke cënuar sovranitetin, sigurinë dhe politikat shtetërore të Kosovës”, ka thënë Haradinaj.

Kreu i qeverisë kosovare e ka vënë theksin edhe tek fakti se raportimet e saj për shkeljen e CEFTA-s nga Beogradi dhe Sarajeva kanë rënë në vesh të shurdhët. Në vijim të mesazhit të tij, kryeministri i Kosovës ka vënë në dukje se veprimet e shtetit serb bien ndesh me marrëveshjet e arritura në dialogun e Brukselit dhe konkretisht me kapitullin 35 për normalizimin e marrëdhënieve dypalëshe.

“Ky kapitull kërkon angazhimin e vazhdueshëm të Serbisë për një përmirësim të dukshëm dhe të qëndrueshëm në marrëdhëniet me Kosovën”, kujton Haradina në letrën e tij./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!